Shtetet e Bashkuara mund të jenë në rrugën e duhur për të pritur Kupën e Botës 2038, pavarësisht se tashmë kanë organizuar dy turne gjatë 32 viteve të fundit.
Edhe pse futbolli – ose “soccer”, siç njihet në SHBA – raportohet të jetë vetëm sporti i tretë më popullor në vend, pas futbollit amerikan dhe basketbollit, SHBA po shqyrton mundësinë për të kandiduar për organizimin e një Kupe të tretë të Botës brenda vetëm 44 viteve.
SHBA organizoi për herë të parë turneun më prestigjioz të FIFA-s në vitin 1994, ndërsa aktualisht është bashkëorganizatore e Kupës së Botës 2026 së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.
Nga gjithsej 104 ndeshje të këtij edicioni, 78 do të zhvillohen në SHBA, përfshirë edhe finalen.
Organizatorët e dy Kupave të ardhshme të Botës tashmë janë konfirmuar.
Edicioni i vitit 2030 do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia, megjithëse tre ndeshjet hapëse do të luhen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të shënuar 100-vjetorin e turneut.
Arabia Saudite do të organizojë Kupën e Botës 2034, duke u bërë vendi i dytë arab që pret këtë kompeticion, pas Katarit në vitin 2022.
Sipas drejtorit ekzekutiv të grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, Andrew Giuliani, SHBA po shqyrton paraqitjen e kandidaturës për organizimin e Kupës së Botës 2038.
Nëse kandidatura pranohet, SHBA do të organizonte Kupën e saj të tretë të Botës brenda 44 viteve.
Ndërkohë, disa prej vendeve që konsiderohen si fuqi tradicionale të futbollit, si Anglia, nuk e kanë organizuar Kupën e Botës që nga viti 1966.
Edhe Holanda, tri herë finaliste dhe një nga gjigantët e futbollit evropian, nuk e ka organizuar kurrë këtë turne, pavarësisht historisë së saj të pasur futbollistike.
Giuliani deklaroi se kishte biseduar me presidentin amerikan Donald Trump përpara se të konfirmonte se SHBA është e hapur për të organizuar turneun e vitit 2038.
Ai i tha “Press Association”: “Këtë çështje e kam diskutuar me presidentin Trump dhe me shumë nga sekretarët e kabinetit tonë. Mendoj se nuk ka vend më të mirë se Shtetet e Bashkuara për të organizuar një Kupë Bote dhe besoj se kjo po shihet edhe në rrjetet sociale. Mendoj se po e shohim këtë edhe nga tifozët që mund të vizitojnë SHBA-në për herë të parë, ose pas një kohe të gjatë. SHBA është vërtet një vend shumë mikpritës dhe ne kemi një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Ne tashmë i kemi stadiumet e ndërtuara, kështu që, krahasuar me vendet e tjera organizatore ku kostoja arrin në dhjetëra miliarda dollarë, për ne shpenzimet ishin vetëm disa miliarda. Nëse në të ardhmen Kupa e Botës zgjerohet në 64 skuadra, mendoj se Shtetet e Bashkuara mund ta përballojnë pa problem. Por, së pari, le ta përfundojmë këtë Kupë Bote më 19 korrik, përpara se të paraqesim kandidaturën tonë për vitin 2038 apo ndonjë edicion tjetër. Megjithatë, për mua, si dikush që ndoqi disa ndeshje të Kupës së Botës si tetëvjeçar në vitin 1994, nuk do të kishte kënaqësi më të madhe sesa ta shihja këtë turne të rikthehej sërish në Shtetet e Bashkuara në dekadat e ardhshme”.
Vendet organizatore të Kupës së Botës ndër vite:
2034 – Arabia Saudite./GazetaExpress/
Në filozofinë e Feng Shui-t, shtëpia nuk është thjesht një vend ku jetojmë. Ajo konsiderohet një hapësirë ku energjia...