Arsenali mund t’i ofrojë potencialisht Newcastle Unitedit deri në tre lojtarë si pjesë e një marrëveshjeje për transferimin e Bruno Guimarães gjatë kësaj vere.
“Topçinjtë” janë në kërkim të një mesfushori qendror dhe e kanë vendosur brazilianin në krye të listës së dëshirave për të përforcuar skuadrën.
Eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, ka konfirmuar se Arsenali ka bërë një ofertë, por thekson se Newcastle nuk është i gatshëm ta shesë mesfushorin vetëm për shumën e parave që është ofruar.
Megjithatë, ai lë të kuptohet se klubi londinez mund të rikthehet me një qasje tjetër.
Me Newcastle që kërkon përforcime në repartin ofensiv dhe raportohet se ka interes për tre lojtarë të Arsenalit, kjo mund të hapë rrugën për një marrëveshje shkëmbimi.
“Është e vërtetë që Arsenali bëri një qasje për Bruno Guimarães,” tha Romano në videon e tij më të fundit në YouTube.
“Ishte një kontakt i drejtpërdrejtë si me lojtarin, ashtu edhe me Newcastle. Sipas informacioneve të mia, synimi ishte një marrëveshje me vlerë rreth 55 milionë paund, por Newcastle nuk do ta shesë për këtë shumë. Ata e kanë mbyllur derën për këtë ofertë. Do të shohim nëse Arsenal do të rikthehet. Bruno Guimarães ia ka lënë gjithçka në dorë Newcastle-it dhe po e respekton klubin”, shtoi ai.
Arsenal fitoi titullin e parë të Premierligës nën drejtimin e Mikel Artetës sezonin e kaluar, por nuk dëshiron të ndalet me kaq. Klubi e di se nevojiten përforcime nëse synon ta mbrojë titullin dhe të garojë sërish fuqishëm në Ligën e Kampionëve.
Transferimi i Guimarães do të ishte një deklaratë e fortë ambiciesh, veçanërisht pasi Manchester City ka arritur marrëveshje për Elliot Anderson nga Nottingham Forest. Nëse tarifa e transferimit mbetet pengesë, Arsenal mund të përfshijë disa lojtarë në marrëveshje për të bindur Newcastle.
Newcastle është në kërkim të një anësori të majtë, pasi Liverpooli ia rrëmbeu objektivin Victor Muñoz nga Osasuna.
“Magpies” kishin zhvilluar bisedime për transferimin e 22-vjeçarit, por skuadra e Andoni Iraolës pranoi të paguante plotësisht klauzolën e tij të lirimit prej 34.5 milionë paundësh.
Kjo e ka detyruar Newcastle të kërkojë alternativa të tjera në sulm, gjë që mund të shkojë në favor të Arsenalit në negociatat për Guimarães.
Sipas “Caught Offside”, Newcastle po shqyrton transferimet e Gabriel Martinellit dhe Leandro Trossard nga Arsenali, si dhe të Cody Gakpo nga Liverpooli, në përpjekje për të përforcuar repartin ofensiv.
Raporti thekson se të tre emrat janë diskutuar brenda drejtuesve të Newcastleit dhe se tashmë kanë nisur bisedime me Arsenalin për të parë mundësinë e një transferimi gjatë kësaj vere. Megjithatë, një transferim i Trossard duket më pak i mundshëm, pasi sulmuesi belg raportohet se është në bisedime të avancuara me Beşiktaş për një kalim të përhershëm.
Një tjetër opsion për Newcastle mund të jetë talenti i Arsenalit, Ethan Nwaneri. 19-vjeçari pati një periudhë të vështirë gjatë huazimit te Marseille sezonin e kaluar dhe raportohet se është i lirë të largohet përfundimisht këtë verë.
“TEAMtalk” zbuloi së fundmi se Arsenali është i hapur ta shesë Nwanerin në muajt e ardhshëm, me Newcastle, Everton, Aston Villa dhe skuadrën italiane Como që thuhet se janë të interesuara.
Kjo do të thotë se ende ekziston mundësia që Arsenali dhe Newcastle të arrijnë një marrëveshje për Bruno Guimarães./GazetaExpress/
Në filozofinë e Feng Shui-t, shtëpia nuk është thjesht një vend ku jetojmë. Ajo konsiderohet një hapësirë ku energjia...