Shalom!* - Gazeta Express
string(6) "shalom"

OP/ED

Halil Matoshi

01/02/2021 21:22

Shalom!*

OP/ED

Halil Matoshi

01/02/2021 21:22

Ata komunistë – internacionalista, që klithnin dje si të marrosur “Mbahu Palestinë”, sot të njëjtit (ose të ngjashmit me ta, populistë e mobokratë) përpiqen të na bindin për kolonizimin e tokës palestineze nga Izraeli dhe kinse gabimin që Kosova të përfaqësohet në Jerusalem, si shtet sovran!?

Marrëveshja e Washingtonit (shtator, 2020) u kurorëzua me festë në Prishtinë, me 1 shkurt, 2021.

Lexo Edhe:

Ata “humanistë” nga Brukseli që 22-vjet pas çlirimit, Kosovën e vendosën në geto, për ta lumturuar Serbinë e zemëruar, që sot, Prishtinës, ia përmendin Jerusalemin si faj, vet e kanë në ndërgjegje një nga ”mëkatet fillestare” – përzënisa e Jezusit nga Nazareti dhe gozhdimin e tij në “Tokën e Shenjtë” të Izraelit.

Ata që na flasin për “parimin moral” se duhet marrë anën e palestinezëve, ne shqiptarët e Kosovës, në një konflikt sa biblik aq edhe gjeopolitik dhe fare jothelbësor për ne, për orientimin tonë Perëndimor dhe interesin madhor të shtetit kosovar, sepse ata duan orientin!?

Çfarë u paska borxh palestinezëve Kosova e djegur e dhunuar plot një shekull nga Serbia fashiste?

Veprimet anti-Kosovë të palestinezëve datojnë që nga koha e shtetit jugosllav të Titos, porse ato kulmuan kur lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yaser Arafat i kishte bërë ftesë Kasapit të Ballkanit, ideologut të fashizmit serbianë Slobodan Milošević

që të kalonte Krishtlindjen në Bethelem, në dhjetor 1999, kur shqiptarët rrotullonin kafka nëpër varreza masive, për t’i gjet të dashurit e tyre të masakruar, djegur e hedhur në gropa gëlqerore!?

Dhe, më 2015, Autoriteti Palestinez votoi kundër Kosovës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, që ishte në mesin e tre shteteve që dhanë votën kyçe kundër shtetit të ri.

Të gjithë ata shqiptarë, që dyshojnë se Arafat nuk ka mund ta bënte një akt i tillë, të ftonte një kriminel lufte (tashmë me aktakuzë ndërkombëtare nga ICTJ në Hagë, qe një burim kredibil.

Prestigjiozja The New York Times e datës 5 dhjetor, 1999 në një shkrim të gjatë shkruante: “Të gjithë udhëheqësit fetarë të krishterë ortodoksë dhe udhëheqësit politikë të vendeve të tyre, përfshirë Presidentin Slobodan Milloshević të Jugosllavisë, janë ftuar. Shumica, përfshirë presidentin e Rusisë, Boris N. Yeltsin, pritet të marrin pjesë; patriarku ortodoks rus planifikon të sjellë më vete 1,200 rusë. (Në Betlehem; vërejtje: HM)”

Për më tepër shih vegzën: https://archive.nytimes.com/www.nytimes.com/library/world/mideast/120599arafat-bethlehem.html

Me 15 maj, 2018 kur Kosova po shtrëngohej nga presioni diplomatik serb dhe një pjesë e qeverive europeane, për të pranuar “ndarjen” e territorit kushtetues të saj, për t’i dhënë Serbisë hise, ambasadori i Autoritetit Palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan deklaronte sy bote se “serbët e palestinezët kanë një histori të ngjashme” duke aluduar në Kosovën, që Nabhan, e cilësoi “tokë serbe”!?

“Kosova është pjesë e Serbisë”- tha ai.

E për ç’moral flasin sot disa në Prishtinë, e disa në Bruksel!???

Lexuesi i vëmendshëm shqiptar, duhet ta dijë të vërtetën.

Njohja nga Izraeli është akti më madhor për Kosovën që nga opinioni i GjND-s.

Shtete shumëfish më të forta e me qindra vjet ekzistencë në demokraci, para secilit “parim moral” zgjedhin të ndjekin interesin e tyre shtetëror, prandaj të akuzohet Kosova që ende provokohet me “zgjidhje ushtarake” nga Serbia dhe mbahet e uzoluar nga BE-ja, është kulmi i hipokrizisë së “çortuesve”!

Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, është një rrëfim për një gjeopolitikë të re, që po e ndjek edhe Presidenti Joe Biden, që Kosovën e rikthehet në skenën botërore, si aleate strategjike dhe prodhuese të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë gjeopolitikë të re, Kosova dëshmon besnikëri ndaj aleatëve të saj strategjik, ndërsa Beogradi zyrtar e humb edhe argumentin më fabulativ të nacionalizmit serb, se “Kosova është Jerusalemi serb”, ngase tashmë Kosova shtet sovran është mu në zemrën e Jerusalemit biblik.

Shqiptarët janë të varfër por e kanë një pasuri të pamatë, e mbajnë fjalën e dhënë mikut.

Mirënjohje miqve hebraik që nuk harruan as pas 75-vjetësh një copë buke a një strehë, duke u dhënë dorën shqiptarëve dhe Kosovës, si pjesë e arkitekturës së re globale, prirë nga Amerika.

P.S.

‘Shalom’ Në hebraisht, fjalët janë të ndërtuara mbi “rrënjët”, zakonisht të tre bashkëtingëlloreve. ..

Kështu nga rrënja sh-lm vijnë fjalët shalom (“paqja, mirëqenia”), hishtalem (“ia vlejti”), shulam (“u pagua”), meshulam (“paguhet paraprakisht” “), mushlam (” i përsosur “) dhe shalem (” i tërë “).