Selimi i ankohet shefit të BE-së në Kosovë pse Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e Brukselit - Gazeta Express
string(94) "selimi-i-ankohet-shefit-te-be-se-ne-kosove-pse-serbia-nuk-po-i-zbaton-marreveshjet-e-brukselit"

Gazeta Express

23/10/2020 14:04

Selimi i ankohet shefit të BE-së në Kosovë pse Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e Brukselit

Gazeta Express

23/10/2020 14:04

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është takuar sot me shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog. Në një komunikatë, MD-ja ka dhënë detaje për temat që janë diskutuar, raporton Gazeta Express.

Sipas njoftimit, në këtë takim, ministri Selimi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që Ministria e Drejtësisë ka me Zyrën e Bashkimit Evropian, e cila ka ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes projekteve të cilat kanë sjellë cilësi, ekspertizë dhe infrastrukturë në sistemin e drejtësisë.

Lexo Edhe:

Në takim po ashtu u shkëmbyen pikëpamjet mbi rezultatet e Reformës në Drejtësi, veçanërisht procesi i Rishikimit Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë Vettingun si pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Përveç agjendës legjislative, Ministri Selimi dhe Shefi i Zyrës se BE-se/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, z. Szunyog kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizmit të vizave, si dhe detyrat të cilat e presin Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, me ç’rast Ministri Selimi ritheksoi se Bashkimi Evropian mbetet synimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë institucionet e vendit janë të përkushtuara në avancimin e agjendës për integrim”, thuhet në njoftim.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë rruga e vetme e Kosovës dhe garantuese për të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë Selimi.

Në kuadër të takimit ministri Selimi ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë, e cila vazhdon të keqpërdorë Interpolin për ndalimin e qytetarëve të Kosovës.

“Nga ana tjetër Shefi i Zyrës së BE-se/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, z. Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i përkushtuar për të çuar më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me të gjitha institucionet e  Kosovës për ta ndihmuar në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. Në përfundim të takimit, ministri Selimi duke falënderuar z. Szunyog për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e reformave në Kosovë dhe avancimit të agjendës të integrimit, e cili mbetet një nga synimet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur. /GazetaExpress/