Ish-mbrojtësi i Francës, Willy Sagnol, beson se Michael Olise është aktualisht futbollisti më i mirë në botë dhe se duhet ta fitojë Topin e Artë, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Kupën e Botës 2026.
Sagnol mahnitet nga Olise
Kupa e Botës 2026 ka nxjerrë në pah shumë yje si Lionel Messi, Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Luis Diaz, por për Willy Sagnol, askush nuk ka qenë në nivelin e Michael Olise.
Ish-reprezentuesi francez, i cili ka luajtur përkrah legjendave si Zinedine Zidane dhe Thierry Henry, ndërsa është përballur me emra si Ronaldinho dhe Ronaldo, nuk kurseu lëvdatat për sulmuesin francez.
Duke folur për Bild, Sagnol u shpreh:
“Nuk ka nevojë të flitet shumë për të. Mjafton ta shijosh çdo prekje të tij me topin. Michael Olise është futbollisti më i mirë në botë, shumë përpara të gjithëve. Nëse ai nuk e fiton Topin e Artë në fund të vitit, atëherë diçka nuk shkon me futbollin.”

“Lufton për ekipin, jo për statistikat”
Sagnol theksoi se ajo që e dallon Olisen është mentaliteti i tij.
“Ajo që më pëlqen më shumë është se atij nuk i intereson nëse shënon apo asiston. Ai nuk mendon për statistikat personale, por vetëm për atë që është më e mira për skuadrën.”
Më pas ai e krahasoi me Zinedine Zidane, duke shtuar:
“Edhe Zidane ishte i tillë. Ndërsa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, që kanë dominuar futbollin për 15 vitet e fundit, kanë luajtur disi më shumë edhe për statistikat e tyre personale.”
Franca synon vazhdimin e ëndrrës
Franca tani do të përballet me Paraguain në fazën e 1/16 së finales, në një duel që rikthen kujtimet e Kupës së Botës 1998, kur “Les Bleus” triumfuan 1-0 pas golit të Laurent Blanc në kohën shtesë.
Skuadra e Didier Deschamps do ta respektojë maksimalisht Paraguain, sidomos pas eliminimit surprizë që kjo kombëtare i shkaktoi Gjermanisë. Megjithatë, francezët synojnë vetëm kualifikimin, pavarësisht nëse vjen me një fitore bindëse si ndaj Suedisë apo me një sukses të vuajtur si ai i vitit 1998. /GazetaExpress/