Sa vota janë për Qeverinë Hoti? - Gazeta Express
string(32) "sa-vota-jane-per-qeverine-hoti-1"

Sa vota janë për Qeverinë Hoti?

Gazeta Express

01/06/2020 15:37

Partitë e koalicionit, që pritet ta formojnë Qeverinë, kanë bashkë 64 deputetë. Por, pritet që jo të gjitha do të konvertohen në vota pro Qeverisë së Avdullah Hotit. Kandidati i LDK-së për kryeministër nuk pritet ta marrë përkrahjen e gjithë Grupit Parlamentar të partisë, nisur nga minigrupi kundërshtues, Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli. Megjithatë, Hotin do ta votojë Behgjet Pacolli me deputeten tjetër të AKR-së, edhe pse kjo parti thotë se do të qëndrojnë në opozitë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

LDK-ja ka 28 deputetë, po jo të gjithë kanë deklaruar se do ta votojnë Qeverinë e partisë së tyre, që do ta formojë Avdullah Hoti. 

Gjykata e ka publikuar të plotë aktgjykimin ndërsa LDK-ja ka bërë kërkesë për mbajtjen e seancës, ku pritet të votohet Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.

Deri tash, partia e Isa Mustafës e ka zyrtarizuar koalicionin me AAK-në, Nismën dhe minoritetet. Krejt bashkë i kanë 64 vota, e për formimin e Qeverisë i duhet shumica e thjeshtë prej 61 deputetëve. 

Në fillin e negociatave të LDK-së me partitë e tjera thuhej se edhe AKR-ja do të jetë pjesë e Qeverisë Hoti. Megjithatë, duket se dy deputetët e AKR-së do të rreshtohen kah opozita.

Jeltir Zyberaj, këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se kjo parti do të qëndrojë në opozitë.

“AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Do të jetë opozitë”, ka shkruar Zyberaj të premten.

Edhe pse nuk ishte pjesë e Qeverisë LDK-Vetëvendosje, AKR-ja kishte votuar pro zgjedhjes së Albin Kurtit kryeministër.

Nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi, thotë për Gazetën Express se njësoj do të veprojnë edhe për Qeverinë Hoti.

“Siç e ka thanë Presidenti Pacolli edhe ma herët, AKR do ta mbështesë edhe këtë qeveri gjatë votimit të saj, ashtu si e ka mbështetur edhe qeverinë Kurti”.

Dy prej deputetëve të LDK-së, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli janë shprehur kategorikisht kundër koalicionit të LDK-së me partitë që ishin pjesë e PAN-it. Osmani ka përvojë në mosvotimin e kryeministrit të partisë së saj, pasi nuk e kishte votuar as Qeverinë e Isa Mustafës në vitin 2014.

Ka pasur edhe deputetë të tjerë si Fatmir Rexhepi e Ardian Shala që nuk e kanë pasur të definuar votën e tyre për Qeverinë LDK-AAK-Nisma-minoritetet.

Megjithatë, Qeveria e re pritet të votohet gjatë kësaj jave, pasi tashmë u publikua aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit e LDK-ja po e priste këtë publikim për të kërkuar që të thirret seanca e votimin të Qeverisë.

Gjykata kishte pezulluar për një muaj dekretin e Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, ndërsa më 28 maj i dha dritën e gjelbër formimit të Qeverisë. /Express/