Manchester United është interesuar për Julian Ryerson, sipas raportimeve të Sky. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky interesim do të kthehet në një ofertë konkrete, pasi gjithçka varet nga disa faktorë.
Nëse do të ketë një lëvizje serioze, Borussia Dortmund pritet të kërkojë të paktën 30 milionë euro për mbrojtësin norvegjez, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2028.
Ryerson ka qenë një nga lojtarët më produktivë të Dortmundit këtë sezon. Ai ka dhënë 18 asistime në të gjitha garat, ndërsa në Bundesliga numëron 15 asistime. Në kampionatin gjerman, më mirë se ai në këtë aspekt kanë qenë vetëm yjet e Bayern Munichut, Michael Olise dhe Luis Díaz.

I pyetur fundjavën e kaluar për zërat rreth së ardhmes së tij, Ryerson reagoi me ironi ndaj një gazetari.
“Qenke shumë i zgjuar, apo jo? Ti di më shumë se unë. Kam kontratë dyvjeçare këtu, kështu që nuk po mendoj fare për këtë,” tha ai.
Edhe drejtori sportiv i Dortmundit i kishte hedhur poshtë më herët këto spekulime, duke i quajtur “marrëzi të plota”.
Ryerson është përmendur edhe si opsion për Barcelonën. Dhjetorin e kaluar, sipas televizionit Sky, klubi katalanas dhe mbrojtësi norvegjez, i cili ka 41 paraqitje me kombëtaren, kishin zhvilluar tashmë bisedime.
Sipas raportimit, kampionët e Spanjës po kërkojnë një alternativë të përballueshme për Jules Koundé. Në atë kohë u theksua se Ryerson mund të largohej nga Dortmundi nëse oferta për klubin gjerman do të ishte mjaftueshëm tërheqëse.
Megjithatë, spekulimet për të ardhmen e tij kanë ndryshuar disa herë. Ndryshe nga raportimet e mëparshme, në shkurt u tha se Premier League nuk është destinacioni i preferuar i Ryersonit në rast largimi nga Dortmundi. Më shumë thuhet se e tërheq Serie A italiane.
Anglia dhe Spanja janë përmendur më herët si mundësi, por një kalim në Premier League do të bëhej real vetëm nëse ndonjë klub i madh do të kishte nevojë urgjente për mbulim afatshkurtër për shkak dëmtimesh. Për këtë arsye, kampionati italian shihet si një destinacion më realist dhe ndoshta më tërheqës për norvegjezin, megjithëse deri tani nuk është përmendur ndonjë klub konkret.

Ryerson iu bashkua Dortmundit nga Union Berlini në janar të vitit 2023 për rreth pesë milionë euro dhe u përshtat menjëherë në formacionin bazë. Ai vlerësohet për shkathtësinë e tij, pasi mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes.
Deri tani, Ryerson ka zhvilluar 143 ndeshje zyrtare për Borussia Dortmundin, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhënë 24 asistime. /GazetaExpress/
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...