Rusia ka kryer një sulm të madh me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, mëngjesin e 6 qershorit, duke goditur ndërtesa banimi dhe duke vrarë të paktën dhjetë persona, disa orë pasi presidenti Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për sulme ruse.
Disa shpërthime dhe sirena për sulme ajrore u dëgjuan në orët e para të mëngjesit në Kiev, thanë dëshmitarët, teksa raportohet se alarme për sulme ajrore janë dëgjuar në disa qytete në mbarë Ukrainën.
“Armiku po godet me raketa balistike”, shkroi në Telegram kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko.
“Këto janë ndërtesa banimi. Vende ku njerëzit flenë, jetojnë jetën e tyre”, shtoi ai. Më vonë ai tha se të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 46 janë plagosur, përfshirë fëmijë.
Një banore e Kievit, nëna e së cilës u plagos pasi një ndërtesë banimi u godit gjatë sulmit, i tha Radios Evropa e Lirë se ishte hera e dytë brenda një muaji që ndërtesa goditej.
“Ne sapo i kishim vendosur dritaret e reja, dhe tani ndodhi përsëri”, tha ajo.
“Kjo është thjesht e tmerrshme. Këtu ka shumë fëmijë”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë teksa qëndronte para ndërtesës së dëmtuar, teksa ekipet e shpëtimit po nxirrnin njerëzit nga rrënojat.
Moska lëshoi 68 raketa dhe 351 dronë ndaj Ukrainës gjatë natës, përfshirë raketa hipersonike, balistike dhe lundruese, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës më 6 korrik.
Sulmi ndodhi dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, zhvilloi biseda të ndara telefonike me Volodymyr Zelenskyn dhe Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për ta pozicionuar veten si ndërmjetësin kryesor në konflikt.
Sulmet u kryen po ashtu pak përpara një samiti të NATO-s që do të mbahet në Ankara, ku Zelensky pritet të takohet me Trumpin në margjinat e samitit, ndërsa përpiqet të sigurojë vazhdimin e angazhimit të SHBA-së në mbështetje të vendit të tij në luftën kundër në shkallë të plotë rus, të nisur në shkurt të vitit 2022.
Ushtria ruse tha më 6 korrik se sulmi ishte një përgjigje ndaj “akteve terroriste” kundër “infrastrukturës civile” ruse.
Më 5 korrik, Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se shërbimet ukrainase të inteligjencës kishin sugjeruar se Rusia po përgatitej për një sulm të ri masiv.
“Kjo është tipike për Putinin: menjëherë pas Ditës së Pavarësisë së Amerikës dhe para samitit të NATO-s në Ankara. Rusia dëshiron të sjellë edhe më shumë ligësi dhe të vrasë njerëz”, shkroi Zelensky në një postim në Facebook.
“Çdo vonesë në furnizimin me raketa për mbrojtjen tonë ajrore – raketa për sistemet MIM-104 Patriot – nënkupton humbje të jetës dhe e inkurajon Rusinë të vazhdojë luftën”, shkroi ai.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi në Telegram se një ndërtesë banimi ishte goditur në lagjen Podil të qytetit.
“Njerëzit janë bllokuar nga kati i shtatë deri në të nëntin”, shkroi ai, duke shtuar se copëzat nga shpërthimi kishin rënë edhe mbi një ndërtesë tjetër banimi në të njëjtën zonë.
Rusia i ka intensifikuar sulmet ndaj zonave civile të Ukrainës javët e fundit, teksa procesi i paqes ka ngecur, me theks të veçantë ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit.
Zyrtarët ukrainas thanë se të paktën 30 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmin në shkallë të gjerë ndaj Kievit më 2 korrik, i cili shkaktoi zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit në disa lagje të qytetit.
Shkalla e atij sulmi shkaktoi reagime të menjëhershme të ashpra nga ligjvënësit në Uashington.
Joe Wilson, republikan nga Karolina e Jugut dhe mbështetës prej kohësh i ndihmës amerikane për Ukrainën, tha se sulmet janë dëshmi e radhës se Kremlini po dobësohet në aspektin ushtarak.
“Ky krim i tmerrshëm lufte është edhe një dëshmi tjetër se Rusia po e humb keq këtë luftë”, tha Wilson për Radion Evropa e Lirë. “SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të bëjnë edhe më shumë sesa po bëjnë tani. Strategjia po funksionon. Rusia po humb”.
Rusia mohon se po shënjestron zonat civile, pavarësisht dëshmive të shumta se kryen sulme të tilla.
Ndërkohë, Sevastopol, një qytet me rreth 500.000 banorë në Krime – gadishulli ukrainas në Detin e Zi, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014 – mbeti pa energji elektrike më 6 korrik, pas një sulmi ukrainas ndaj infrastrukturës energjetike, thanë zyrtarët e instaluar nga Kremlini.
“Si pasojë e një sulmi të armikut ndaj infrastrukturës energjetike në periferi të Sevastopolit, qyteti ynë mbeti përkohësisht pa furnizim me energji elektrike”, shkroi në Telegram Mikhail Razvozhayev, guvernatori i instaluar nga Moska.
Një fushatë sulmesh me dronë nga Ukraina ka shkaktuar ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike, mungesa të mëdha karburanti dhe rritje të ndjeshme të çmimeve në tregun e zi në këtë gadishull. Kievi ka nisur një përpjekje për ta izoluar Krimenë, duke goditur kamionë me karburante, ura dhe objekte të tjera infrastrukturore, në përpjekje për ta zhbërë aneksimin e paligjshëm të gadishullit nga Rusia.
Autoritetet e instaluara nga Rusia në Krime kanë pezulluar shitjen e karburantit për individë dhe biznese private për shkak të mungesës së theksuar të karburantit, teksa banorët raportojnë për rafte bosh në dyqane ushqimore dhe kufizime në blerjen e një sërë mallrash bazë./Radio Evropa e Lirë