Rusia i vazhdon bombardimet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës - Gazeta Express
string(72) "rusia-i-vazhdon-bombardimet-ndaj-infrastruktures-energjetike-te-ukraines"

Rusia i vazhdon bombardimet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Lajme

Gazeta Express

28/04/2024 12:26

Rusia i ka vazhduar të dielën sulmet e pareshtura kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Autoritetet në rajonin jugor Mikolaiv thanë se dronët kamikazë rusë e goditën një ngrohtore dhe e dëmtuan një hotel mëngjesin e së dielës.

Lexo Edhe:

Pamjet e publikuara nga shërbimet emergjente në Telegram shfaqin gërmadhat dhe dëmet e shkaktuara në një ndërtesë dhe në një kënd të lojërave për fëmijë. Nuk u raportua për viktima.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se i ka shkatërruar një dron të lëshuar nga Rusia mbi Mikolaiv, dhe katër dronë të tjerë në pjesë të tjera të vendit.

Sulmi i sotëm është vazhdimësi e sulmeve të së shtunës, kur ushtria ruse kreu sulme ajrore kundër termocentraleve dhe hidrocentraleve në disa rajone ukrainase.

DTEK, kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, tha të shtunën se katër termocentrale të saj u goditën nga sulmet ajrore ruse.

Duke folur të shtunën pas sulmeve, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut sërish aleatëve të Kievit për kundërajrorë dhe për furnizim të shpejtë me armë.

Zelensky tha se zonat që i furnizojnë me gaz natyror vendet e Bashkimit Evropian janë në veçanti në shënjestrën e sulmeve ruse.

“Caku kryesor ishte sektori i energjisë, objekte të ndryshme në këtë industri, ato energjetike dhe të gazit. Në veçanti, objektet e gazit që janë jetike për sigurimin e furnizimit të sigurt për Bashkimin Evropian”, tha Zelensky.

Në muajt e fundit, ushtria ruse i ka rritur dhe shpeshtuar sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i goditur termocentralet dhe hidrocentralet pothuajse përditë.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendi e ka humbur rreth 80 për qind të prodhimin të rrymës nga termocentralet dhe 35 për qind nga hidrocentralet, duke e detyruar Qeverinë ta vendosë reduktime të rrymës në disa rajone.

Edhe infrastruktura ruse e naftës dhe gazit është sulmuar kohëve të fundit, përfshirë një rafineri e naftës në rajonin rus Krasnodar, e cila të shtunën e ndërpreu punën, pas një sulmi të dyshuar ukrainas me dronë.

Ukraina, e cila rrallëherë komenton rreth sulmeve të saj në zonat ruse, nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. /REL/