Rusia “e humbur në përkthim”, njësia e inteligjencës u zbulua sepse përdorte Google Translate - Gazeta Express
string(90) "rusia-e-humbur-ne-perkthim-njesia-e-inteligjences-u-zbulua-sepse-perdorte-google-translate"

Lajme

Gazeta Express

16/03/2026 8:00

Rusia “e humbur në përkthim”, njësia e inteligjencës u zbulua sepse përdorte Google Translate

Lajme

Gazeta Express

16/03/2026 8:00

Duhej të ishte një “ushtri brenda ushtrisë”. Një njësi supersekrete e inteligjencës ushtarake ruse, e ngarkuar me kryerjen e operacioneve jashtë vendit, përfshirë rrëmbime dhe vrasje, pa përfshirë njësitë e rregullta. Ajo kishte për qëllim të rikthente besueshmërinë e shërbimeve sekrete ushtarake ruse, të kritikuara për gabimet e shumta të Njësisë 29155, përgjegjëse për helmimin e Sergej Skripal-it në vitin 2018 dhe tentativën e grushtit të shtetit në Mal të Zi.

Por kjo njësi tregoi sërish paaftësi: u komprometua dhe u zbulua sepse agjentët komunikonin përmes Google Translate. Tani një prej agjentëve të saj ndodhet pas hekurave në Kolumbi në pritje të ekstradimit në SHBA, shkruan La Repubblica.

Qendra 795 dhe kompania Kalashnikov si mbulesë

Bëhet fjalë për Qendrën 795, të krijuar në dhjetor 2022 dhe të përbërë nga njësi elitë të shërbimeve ushtarake Gru dhe të brendshme FSB, që i përgjigjej drejtpërdrejt shefit të shtabit Valerij Gerasimov.

Iniciativë e lidhur me miliarderin Andrej Bokarev dhe konglomeratin shtetëror ushtarak Rostec, me bazë operative në kompleksin ushtarako-industrial Patriot Park, në periferi të Moskës, e financuar si mbulesë nga konsorciumi Kalashnikov. Kështu shkruan faqja investigative Insider.ru, që në bashkëpunim me revistën gjermane Der Spiegel arriti të identifikojë drejtuesit dhe financuesit e projektit, falë edhe një prezantimi në PowerPoint me të cilin u shpall struktura e njësisë për sponsorët pranë Kremlinit.

Njësi super-sekrete dhe krejtësisht autonome e projektuar për të kryer operacionet më delikate, të ashtuquajtura “me cikël të plotë”: nga misionet ushtarake në Ukrainë te vrasjet politike dhe rrëmbimet jashtë vendit. Pesëqind oficerë të ndarë në tre drejtime: Inteligjencë, Sulm dhe Mbështetje Luftarake.

Agjenti Alimov i arrestuar në Kolumbi

Njëri prej tyre ishte Denis Alimov, 42 vjeç, veteran i dekoruar i forcave speciale Omon dhe i njësisë speciale Alpha të FSB-së. Më 24 shkurt ai zbriti me dokumente të rreme në Kolumbi, por u arrestua menjëherë me mandat ndërkombëtar të Interpolit, me kërkesë të prokurorisë së Nju Jorkut. Ai është në pritje të ekstradimit në SHBA ku rrezikon burgim të përjetshëm për akuzën e organizimit të një atentati kundër dy “opozitarëve të regjimit të Putinit”, anëtarë të familjes së Akhmed Zakaev, kryeministër në mërgim i Republikës së pashpallur çeçene të njohur si Ichkeria dhe armik i guvernatorit Ramzan Kadyrov.

Google Translate për komunikim

Megjithë masat e fshehtësisë, pseudonimet, mesazhet e koduara dhe grupet autonome…, operacioni u zbulua për një gabim të thjeshtë. Alimov komunikonte me një nga vrasësit e tij të huaj përmes Google Translate. Përkthimet përpunoheshin nga serverët e një kompanie amerikane, tek të cilat FBI pati akses pas një urdhri gjykate. Hetuesit arritën kështu të lexonin korrespondencën pothuajse në kohë reale.

Alimov kishte ofruar një shpërblim prej 1.5 milionë dollarësh për çdo objektiv, “i vdekur ose i deportuar”. Si vrasës kishte rekrutuar Darko Durović-in, një serbo-kroat rezident në SHBA. Problemi ishte se Alimov fliste rusisht, ndërsa Durović serbisht. Për ta kapërcyer këtë problem, ata përdornin Google Translate, duke kthyer raportet në serbisht të Durović-it në rusisht dhe udhëzimet në rusisht të Alimov-it në serbisht.

Mesazhet transmetoheshin përmes aplikacioneve të koduara që ata i konsideronin të sigurta. Por Google operon me serverë në SHBA, të cilët bien nën juridiksionin e një urdhri gjykate të FBI-së. Hetuesit, të pajisur me urdhër gjykate, arritën të aksesojnë regjistrat e këtyre përkthimeve drejtpërdrejt nga ofruesi i shërbimit dhe të lexonin në kohë reale përmbajtjen e qartë të gjithë bisedës, pavarësisht se Alimov dhe Durović besonin se ishin të mbrojtur nga kriptimi.

Përkthime absurde mbi vrasjen me porosi

Përkthimet dukeshin në disa momente gati absurde: dy agjentë të një njësie që duhej të ishte super-sekret po organizonin një vrasje me porosi dhe të gjitha udhëzimet e tyre ruheshin me datë e orë në serverët e një kompanie amerikane. Siç vuri re një burim pranë hetimit, ishte madje më mirë se një përgjim telefonik sepse të dhënat ishin tashmë të transkriptuara. Durović kishte përdorur motorët e kërkimit për t’u informuar mbi armën e mundshme të krimit, “Glock 17”, “Glock 21”, “Glock 22”, si dhe ku të gjente një Glock 22 në Podgoricë, Mal të Zi.

“Ironia e shpërbërjes së Qendrës 795, nuk i shpëton atyre që e kanë monitoruar: një njësi e projektuar për të qenë instrumenti më i paidentifikueshëm i Kremlinit u zbulua jo falë viteve të kundërspiunazhit të durueshëm, jo për faj të një dezertori apo informatori, por sepse dy burra kishin nevojë të flisnin dhe nuk ndanin të njëjtën gjuhë. Rusia do të krijojë një njësi tjetër. Do të jetë më e kujdesshme me mjetet e përkthimit që do të përdorë. Por nëse do të jetë më e kujdesshme me njerëzit që do të rekrutojë, kjo është një çështje krejt tjetër.”, përfundon Insider.ru.

Advertisement
Advertisement
Advertisement