Rrugëtimi i Distria Krasniqit deri te medalja e Artë në Lojërat Olimpike - Gazeta Express
string(72) "rrugetimi-i-distria-krasniqit-deri-te-medalja-e-arte-ne-lojerat-olimpike"

Sporte tjera

Masar Sokoli

24/07/2021 15:05

Rrugëtimi i Distria Krasniqit deri te medalja e Artë në Lojërat Olimpike

Sporte tjera

Masar Sokoli

24/07/2021 15:05

Nuk është lehtë, asnjëherë, por po, ëndrrat mund të bëhen realitet. Shembulli më i mirë është Distria Krasniqi që triumfoi në Lojërat Olimpike.

Si fëmijë kishte ëndërruar që një ditë ta përfaqësojë vendin e saj në një Olimpiadë, në fund ia doli, e përfaqësoi dhe e bëri krenar një popull të tërë, duke rrëmbyer medaljen e Artë, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Distria me medaljen e Artë Olimpike

Distria ia ka siguruar të shtunën medaljen e dytë të Artë Kosovës në një Olimpiadë, pas Majlinda Kelmendit – duke treguar edhe njëherë se me punë, talent dhe përkushtim, edhe pse një vend i vogël, mund të arrihen gjëra të mëdha.

lot, emocion, gezim, krenari

Për të arritur deri te medalja Olimpike, Distria zhvilloi katër luftëra.

Xhudistja shqiptare e kaloi rrethin e parë pa luftë, derisa në atë të dytë u përball me brazilianen, Gabriela Chibana, duke fituar me ippon.

Objektivi ishte i qartë për xhudisten kosovare, medalja olimpike dhe kështu, edhe në çerekfinale, me mençuri, Distria arriti të fitojë me ippon, duke e mundur xhudisten Chen-Hao LIN.

Punë më të vështirë pati në gjysmëfinale, ku natyrisht, ishin edhe emocionet për të siguruar medalje Olimpike.

Ajo u përball me xhudisten nga Mongolia, Urantsetseg Munkhbat, të cilën arriti ta mund krejt në fund për t’i siguruar tashmë medalje Kosovës.

Por, objektivi i Distria Krasniqit nuk ishte vetëm medalja Olimpike, ishte medalja e Artë Olimpike dhe në finalen e madhe, ajo pati punë edhe më të vështirë, me njërën prej favoriteve në kategorinë -48kg, Funa Tonaki.

Sido që të jetë, pas vështirësive që kishte, Distria ia doli, arriti të fitojë dhe ishin momente lehtësimi, momente gëzimi, krenarie për një arritje kaq të madhe, për rrëmbimin e medaljes së artë.

Natyrisht, lotët e parë të gëzimit i ndau me njeriun që ka bërë kaq shumë për sportin e xhudos, me njeriun, falë të cilit xhudistet kanë fituar kaq shumë medalje, me njeriun që shtyri të rinjtë dhe të rejat që të merren me këtë sport dhe të bëjnë krenar një popull të tërë, Driton Kuka.

Driton kuka dhe Distria Krasniqi

“Jam shumë e lumtur, e lehtësuar sepse një ëndërr që e kam pasur prej fëmijërisë e kam realizuar. Kjo medalje shkon për vendin tim, për familjen, për ekipin që pa ta s’do të arrija këtu, për të gjithë ata që më kanë mbështetur”, ishin fjalët e para të kampiones Olimpike.

Distria Krasniqi

Ishte ditë për t’u mbajtur mend për të, ishte dita ku bëri që flamuri i Kosovës të ngritët më së larti, mbi të tjerët, gjatë marrjes së medaljes dhe lotët, nuk mund t’i ndalte as aty.

Kjo tregon se çfarë do të thotë kjo medalje për të, medalje që ajo thotë se ia dedikon vendit të saj, Kosovës.

Ajo s’do të ndalet me kaq.

Distria ka thënë se ky është vetëm fillimi, ajo synon të marrë pjesë edhe së paku në tri Olimpiada dhe deri atëherë, me shpresën që do t’i sjellë edhe shumë e shumë medalje Kosovës.

Duke parë talentin që ka, përkushtimin dhe punën e palodhshme – natyrisht se medaljet s’do të mungojnë as viteve në vijim. /Gazeta Express/

Distria me medaljen e arte Olimpike