FIFA ka zbatuar rregulla të reja në Kupa e Botës 2026, por një transmetues ka thyer menjëherë një prej tyre gjatë ndeshjes së parë.
Në ndeshjen hapëse, Meksika – si bashkëorganizatore – mposhti Afrikën e Jugut 2-0 në Estadio Azteca, me golat e Julián Quiñones dhe Raúl Jiménez.
Takimi u karakterizua nga tre kartonë të kuq: Yaya Sithole dhe Themba Zwane u ndëshkuan për Afrikën e Jugut, ndërsa César Montes u përjashtua në minutat shtesë për Meksikën.
Ndeshja gjithashtu solli rregulla të reja të IFAB, përfshirë rritjen e përdorimit të VAR-it dhe pushimet për hidratim, të cilat janë bërë të detyrueshme për mirëqenien e lojtarëve në kushte të nxehta.
Janë parashikuar dy pushime tre-minutëshe në secilën pjesë të lojës.
Megjithatë, sipas “The Athletic”, transmetuesi amerikan “Fox Sports” ka shkelur udhëzimet e FIFA gjatë mbulimit të ndeshjes.
FIFA kishte kërkuar që reklamat të lejoheshin vetëm në ekran të plotë, por transmetuesit duhej të riktheheshin te transmetimi i ndeshjes të paktën 30 sekonda para rifillimit të lojës.
“Fox Sports” nuk e respektoi këtë në pjesën e parë dhe e përsëriti edhe më keq në të dytën, duke vonuar kthimin në transmetim live.
Gjatë pushimit të dytë për hidratim, që erdhi pasi Raúl Jiménez shënoi golin e dytë në minutën e 67-të, u shfaqën rreth dy minuta reklama, përfshirë fushata të Powerade, Adidas me Lamine Yamal dhe Verizon me David Beckham.
Në Mbretërinë e Bashkuar, “ITV” nuk ndërpreu transmetimin dhe mbeti në pamje të drejtpërdrejtë të lojës, njësoj si kanale në Danimarkë dhe Australi.
Ndërkohë, në Gjermani kanali “Magenta TV” dhe në Argjentinë “Telefe” kaluan në reklama gjatë pushimeve.
Edhe pse pushimet për hidratim janë vendosur për të mbrojtur lojtarët në temperatura ekstreme, shumë kritikë mendojnë se ato prishin ritmin dhe rrjedhën e lojës.
Nga ana tjetër, trajnerët i përdorin këto pauza si mundësi për të dhënë udhëzime taktike shtesë dhe për të rregulluar lojën e skuadrës./GazetaExpress/