Cristiano Ronaldo dhe pjesa tjetër e skuadrës së Al-Nassr i rezervuan një pritje të ngrohtë Sadio Manés pas rikthimit të tij nga Kupa e Afrikës, ku Senegal arriti një triumf historik.
“Luanët e Terangës” fituan titullin e dytë të AFCON-it pas një finaleje jashtëzakonisht dramatike dhe të diskutueshme ndaj Marokut në Rabat. Ndeshja u vendos në kohën shtesë, kur Pape Gueye shënoi golin e fitores në minutën e 94-të, duke i dhënë Senegalit fitoren 1-0.
Finalja u shoqërua me tensione të mëdha, përfshirë një penallti të dyshimtë për Marokun në fund të kohës së rregullt, që çoi në largimin e përkohshëm të lojtarëve senegalezë nga fusha. Vetëm pas 17 minutash kaosi, me ndërhyrjen e trajnerit Pape Thiaw, ndeshja rifilloi. Më pas, Brahim Diaz gaboi një penallti me stil “Panenka”, duke ia dorëzuar topin portierit Edouard Mendy.
Mané u rikthye të premten në Arabinë Saudite për t’u bashkuar sërish me Al-Nassr, ku u prit me përqafime nga bashkëlojtarët dhe me një tortë speciale të dorëzuar nga kapiteni Cristiano Ronaldo.

Torta paraqiste Manén duke mbajtur trofeun e AFCON-it, me mbishkrimin: “Urime Senegal kampion. Urime Sadio.”
Mes duartrokitjeve të skuadrës, Mané falënderoi shokët e ekipit dhe më pas u shpreh për kamerat e klubit:
“Faleminderit shumë, jam vërtet i lumtur për këtë surprizë. Nuk e prisja. Ishte një pritje shumë e ngrohtë dhe jam shumë i kënaqur. Tani jam i fokusuar te pjesa tjetër e sezonit.”
Ylli i Al-Nassr tashmë kthen vëmendjen te gara në Saudi Pro League, ku synon të vazhdojë formën e shkëlqyer edhe në nivel klubi. /GazetaExpress
Welcoming back our champion, Sadio Mané 🦁
— AlNassr FC (@AlNassrFC_EN) January 23, 2026
The Nassr way 💛💛
pic.twitter.com/3tnvNPLEjK