“Ronaldo mund të luajë edhe në Botërorin e vitit 2030” - Gazeta Express
string(52) "ronaldo-mund-te-luaje-edhe-ne-boterorin-e-vitit-2030"

Futboll

Gazeta Express

08/05/2026 22:26

“Ronaldo mund të luajë edhe në Botërorin e vitit 2030”

Futboll

Gazeta Express

08/05/2026 22:26

“Cristiano Ronaldo mund të luajë edhe në Kupën e Botës 2030”, ka deklaruar ish-trajneri i Manchester Unitedit, Rene Meulensteen, për “GOAL”, duke thënë se një Botëror në “shtëpi” për Portugalinë “nuk është edhe aq larg” për GOAT-in që vazhdon të thyejë histori.

Ylli i Al-Nassr mund të jetë 41 vjeç, por sulmuesi i përjetshëm ka dëshmuar gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme se gjithçka është e mundur dhe se i pëlqen të sfidojë logjikën biologjike dhe sportive.

Ronaldo do të hyjë sërish në histori këtë verë kur të përfaqësojë Portugalinë në turneun më prestigjioz të FIFA-s për herë të gjashtë.

Ai u shfaq për herë të parë në skenën më të madhe ndërkombëtare në vitin 2006.

Tani, 20 vite më vonë, me 226 ndeshje dhe 143 gola me kombëtaren, legjenda e futbollit vazhdon të jetë në nivele të larta.

Ai ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve me Portugalinë si kapiten, por ende nuk e ka fituar trofeun më të madh – Kupën e Botës – ndryshe nga rivali i tij i përhershëm Lionel Messi.

Qëllimi i tij është ta korrigjojë këtë në Amerikën e Veriut, ku Roberto Martinez ka në dispozicion një skuadër plot yje me potencial për t’u shpallur kampione bote dhe për t’i kompletuar koleksionin e trofeve kapitenit ikonik.

Por nëse lavdia supreme i shpëton edhe një herë, dhe me Portugalinë që do të bashkëorganizojë Kupën e Botës 2030 së bashku me Spanjën dhe Marokun, a mund të tundohet Ronaldo për “edhe një herë”?

Aktualisht, portieri Essam El Hadary mban rekordin si lojtari më i vjetër që ka luajtur në një ndeshje të Kupës së Botës, pasi përfaqësoi Egjiptin në vitin 2018 në moshën 45 vjeç e 161 ditë. Ronaldo mund të synojë ta barazojë ose thyejë këtë arritje.

Meulensteen, i cili punoi me CR7 gjatë periudhës së tij të parë te Manchester Unitedi, deklaroi për “GOAL” – përmes “Best Betting Bonuses” – kur u pyet nëse Ronaldo mund të vazhdojë edhe katër vite të tjera:

“Dua të them, nëse shëndeti e lejon. Kur e sheh, ai është 41 vjeç, por biologjikisht ndoshta është në fillim të të tridhjetave. Është një rast ku mendja të çon përpara dhe pjesa tjetër e trupit e ndjek. Nuk ka asnjë dyshim që ai kujdeset për veten në mënyrën më të mirë të mundshme. Pashë ditën tjetër se djali i Ronaldos ishte futur në listën e ekipit [te Al-Nassr]. Ndoshta një nga sfidat që ai ende dëshiron ta realizojë është të luajë me djalin e tij, dhe kjo do të ishte unike”, tha ai fillimisht.

“Por mendoj se nëse qëndron pa lëndime dhe vazhdon të jetë i freskët, duhet të shohim edhe çfarë ndodh me Portugalinë, sepse ai mund të bëhej lojtari më i vjetër në Kupën e Botës. Kjo padyshim do t’i qëndrojë në mendje, sidomos me faktin që Botërori do të bashkëorganizohet nga Portugalia, Spanja dhe Maroku. Nuk është edhe aq larg!”, shtoi ai.

Edhe ish-bashkëlojtari i tij te Portugalia, Nuno Gomes, kishte folur më parë për “talkSPORT” mbi këtë mundësi, duke thënë se një turne madhor në shtëpi do të ishte joshës për çdo futbollist:

“Mendoj se vetëm ai, ose ndoshta as ai vetë, e di përgjigjen, sepse në këtë moshë ai po e merr vit pas viti. Mendoj se ai ende është i aftë për të luajtur. Është një profesionist i jashtëzakonshëm dhe një nga lojtarët që mund të merret si shembull për gjeneratat e reja. Por sigurisht që mosha bën të vetën dhe kapaciteti i tij është zvogëluar në disa aspekte, si shpejtësia për shembull. Nuk është më i njëjti Cristiano si në moshën 18 apo 20-vjeçare, por ai ende është në gjendje të shënojë gola, dhe në futboll kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha ai.

“Sigurisht që mendoj se gjithçka varet edhe nga trajneri. Aktualisht kemi Roberto Martinezin dhe mendoj se ai e përshtat ekipin, qoftë duke e aktivizuar Ronaldon në formacionin titullar ose jo. Kështu që gjithçka do të varet nga dëshira e tij për të vazhduar apo jo. Por ndoshta mund të them se ky mund të jetë Botërori i tij i fundit. Edhe pse e dimë se pas katër vitesh do të organizojmë disa ndeshje të Kupës së Botës. Dhe ndoshta kjo mund të jetë një mundësi për t’i thënë lamtumirë futbollit në shtëpi”, e mbylli ai./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement