Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka përgëzuar regjisoren kosovare Blerta Basholli për filmin e saj të ri “Dua”, i cili pati premierën në “Javën e Kritikës”, seksion paralel i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes.
“Dua”, me regji dhe skenar të Bashollit, është një prodhim kosovar që trajton përvojat, kujtimet dhe ndjeshmëritë e një gjenerate të rritur gjatë viteve ’90 në Kosovë.
Përmes një postimi në Instagram, Rita Ora shprehu krenarinë dhe emocionin që i ka ngjallur filmi, duke vlerësuar mënyrën se si ai sjell në ekran një periudhë të rëndësishme për shumë shqiptarë.

“Ta kapësh dhe ta shprehësh mënyrën si jemi rritur në vitet ’90 është një histori që vetëm ne gratë mund ta tregojmë në mënyrën tonë. Jam shumë krenare për këtë moment. Si një vajzë që është rritur në vitet ’90, ajo periudhë do të mbetet përgjithmonë në kujtimet e mia”, ka shkruar Ora.
Filmi “Dua” garon si metrazh i gjatë dhe përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare.
Blerta Basholli është e njohur për suksesin e filmit “Zgjoi”, i cili fitoi tri çmime kryesore në festivalin Sundance dhe u bë një nga prodhimet shqiptare më të vlerësuara ndërkombëtarisht. /GazetaExpress/