Reagime pas vendimit për t’i hapur rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës - Gazeta Express
string(90) "reagime-pas-vendimit-per-ti-hapur-rrugen-kosoves-drejt-anetaresimit-ne-keshillin-e-evropes"

Lajme

Gazeta Express

28/03/2024 13:26

Reagime pas vendimit për t’i hapur rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Lajme

Gazeta Express

28/03/2024 13:26

Autoritetet në Kosovë mirëpritën vendimin e një dite më parë të Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill, ndërsa po kritikohet ashpër nga autoritetet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi vendimin një arritje shumë të madhe për vendin.

Lexo Edhe:

“Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim edhe në institucionet tjera euro-atlantike.

Por kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se hapja e rrugës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është meritë e punës së aleatëve të vendit.

“Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën. Është krejtësisht punë e tyre”, tha zoti Haradinaj.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ministri i jashtëm në detyrë i Serbisë Ivica Daçiç tha se vendimi i Komisionit Politik të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë të interesave shtetërore dhe cenim i tërësisë tokësore të Serbisë. Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha në një deklaratë se anëtarësimi i Kosovës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.

Dy delegatë të Serbisë dhe një nga Bosnja e një nga Mali i Zi, votuan dje kundër rekomandimit të Komisionit për t’i bërë ftesë Kosovës për anëtarësim, ndërsa 31 votuan në favor të rekomandimit.

Me 18 prill Asambleja parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Komisioni tërhoqi vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa theksoi se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /VOA