Rasti shokues i arsimtarit “berber” kishte ndodhur një javë më herët, priten masa ndaj tij - Gazeta Express
string(87) "rasti-shokues-i-arsimtarit-berber-kishte-ndodhur-nje-jave-me-heret-priten-masa-ndaj-tij"

Rasti shokues i arsimtarit “berber” kishte ndodhur një javë më herët, priten masa ndaj tij

Arbër Jashari

13/02/2020 15:35

Arsimtari i Gjeografisë në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Ulët të Gjilanit, me miratimin e prindit ka praktikuar profesionin e berberit në njërin nga nxënësit e tij. Nga një video që ka qarkulluar në media, mësimdhënësi shihej se si ia priste flokët e nxënësit me arsyetimin se ka sjellje të keqe dhe duhet të edukohet. Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë për Arsim në komunën e Gjilanit ka thënë për Gazetën Express se komisioni disiplinor në kuadër të drejtorisë është formuar dhe pritet vendimi ndaj arsimtarit të shkollës. Sipas drejtorit të Arsimit, udhëzimi administrativ parasheh masa disiplinore nga vërejtja e deri te suspendimi

Pamjet e publikuara ku mësimdhënësi u gjeografisë, Xhelal Elezi në shkollën e fshatit Livoç i Ulët të komunës së Gjilanit detyron nxënësin e tij që të ulet për t’ia prerë flokët ka qenë e pazakonshme.

Lexo Edhe:

Në fakt ky gjest i arsimtarit kishte ndodhur një javë më parë, por tek mbrëmë është bërë publike video-incizimi ku shihet mësimdhënësi duke e sharë e kërcënuar nxënësin që të ulet për t’ia prerë flokët.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori i Drejtorisë për Arsim në komunën e Gjilanit, Nazim Gagica.

“Rasti ka ndodhur një javë më parë, dhe përderisa nuk ka pasur ankesa nuk ka pasur denoncime dhe ne mbrëmë kemi marrë vesh. Në pyetjet që i kam bërë drejtorit të shkollës se përse nuk ke raportuar për rastin, ai më ka thënë se nuk ka pasur asnjë ankesë as nga nxënësi e as nga prindi dhe për rastin ka marrë vesh nga mediat. Gjithçka ka shkuar në heshtje”, ka thënë Gagica.

Gagica sjelljen joprofesionale të arsimtarit e ka quajtur të papranueshme dhe është shprehur se ndaj të njëjtit do të merren masa.

“Drejtoria Komunale e Arsimit e ka një komision disiplinor i cili në bazë të udhëzimit administrativ merr masa që fillon prej vërejtjeve me gojë deri te suspendimi. Kemi kërkuar sot që të kemi deklarata me shkrim nga drejtori, mësimdhënësi dhe prindi i nxënësit. Komisioni i shqyrton në nivel të drejtorisë dhe pastaj ata marrin vendim në bazë të udhëzimit administrative”, ka thënë Gagica.

Ai ka thënë se sipas informatave jozyrtare mësimdhënësi për sjelljen e tij ka pasur miratimin e prindit.

“Informatat që i kemi jozyrtare del që mësimdhënësi ka qenë i autorizuar për mbikëqyrje. Por sjellja e mësimdhënësit absolutisht nuk tolerohet është jashtë çdo norme”, ka thënë drejtori i Arsimit.

Tutje Gagica ka thënë se komisionin disiplinor e përbëjnë tre anëtarë të cilët do të mblidhen shumë shpejt për të marrë vendim ndaj arsimtarit.

“Komisionin e përbëjnë tre anëtarë, dy janë rezidentë dhe një tjetër anëtar është varësisht nga rasti. Personi i tretë merret nga mjedisi i shkollës ose një zyrtar ligjor por jo drejtori i shkollës ku ka ndodhur rasti. Ky komision disiplinor duhet të merr masa si e sheh udhëzimi administrativ. Besoj që shpejt mblidhet komisioni disiplinor dhe del me një vendim për rastin në fjalë”, ka thënë Drejtori i Arsimit Nazim Gagica./GazetaExpress/