Pretendohet se Zlatan Ibrahimovići e minoi autoritetin e ish-trajnerit të Milanit, Paulo Fonseca, që në ditën e tij të parë në klub, duke e nxjerrë jashtë dhomës së zhveshjes për të folur privatisht me lojtarët.
Suedezi është i vetmi drejtues që ka mbetur në strukturën e klubit pasi pronari i “RedBird”, Gerry Cardinale, shkarkoi me një vendim të vetëm trajnerin Massimiliano Allegri, drejtorin ekzekutiv Giorgio Furlani, drejtorin sportiv Igli Tare dhe drejtorin teknik Geoffrey Moncada.
Tashmë, Ibrahimovici dhe Cardinale po zgjedhin drejtuesit e rinj të klubit, por tifozët po shfaqin gjithnjë e më shumë pakënaqësi për ndikimin e madh që i është dhënë ish-sulmuesit.
Gjatë një eventi të “Sportmediaset”, gazetari i njohur i Milanit, Carlo Pellegatti, pretendoi se problemet me sjelljen e Ibrahimovicit kanë nisur prej kohësh.
“Kur Fonseca mbërriti, në ditën e tij të parë të stërvitjes, Zlatan Ibrahimovici e prezantoi para skuadrës dhe më pas tha para të gjithëve: ‘Tani do të flas unë, Fonseca duhet të dalë jashtë.’
Kështu lojtarët shohin se Ibrahimovici po drejton situatën, ndërsa Fonseca largohet nga dhoma. A keni parë ndonjëherë diçka të tillë? Nëse vepron kështu, gjithçka mbaron para se të fillojë.
Prandaj nevojitej Allegri, sepse ai ishte njeriu që e largoi Zlatanin nga ndërhyrjet”, deklaroi Pellegatti.
Fonseca qëndroi te Milani vetëm nga korriku deri në fund të dhjetorit 2024, përpara se të shkarkohej dhe të zëvendësohej nga Sergio Conceição.
Këto pretendime përputhen me raportimet e mëparshme për përplasje të ashpra mes Allegrit dhe Ibrahimovicit, ku një incident thuhet se u përshkallëzua edhe fizikisht në një restorant, përpara se të ndaheshin nga Igli Tare.
Gjithashtu është raportuar se Ibrahimovici kishte kontaktuar individualisht disa lojtarë të Milanit për t’u dhënë udhëzime taktike që binin në kundërshtim me ato që trajneri kishte kërkuar gjatë stërvitjeve.
Edhe pse ka ndikim të madh në klub, Ibrahimovici teknikisht nuk mban një post zyrtar te Milani.
Ai është Këshilltar Special i kompanisë “RedBird”, e cila është aksionerja shumicë e Milanit./GazetaExpress/