Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim për forcimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, duke theksuar se Beogradi ndjek një agjendë joliberale. Në Raportin për Maqedoninë e Veriut, të publikuar dje, eurodeputetët paralajmërojnë gjithashtu për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Kinës në Ballkanin Perëndimor, si dhe për përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim në vend. Raporti thekson nevojën që Bashkimi Evropian të mbështesë Maqedoninë e Veriut në forcimin e rezistencës ndaj ndikimeve të jashtme, përfshirë ato që zhvillohen përmes rrjeteve fetare, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
Në dokument thuhet se ekziston shqetësim edhe për narrativat që promovohen në rajon dhe që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst përmendet edhe koncepti i ashtuquajtur “Bota Serbe”, për të cilin eurodeputetët vlerësojnë se mund të ndikojë negativisht në stabilitetin rajonal dhe në marrëdhëniet fqinjësore.
Parlamenti Evropian vëren se ndikimet e jashtme në rajon po bëhen gjithnjë e më të dukshme, duke kërkuar vigjilencë më të madhe institucionale dhe bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian. Raporti nënvizon rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe të qëndrueshmërisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor ndaj fushatave të ndikimit politik dhe dezinformimit.
“Vëren me shqetësim lidhjet gjithnjë e më të forta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, e cila ndjek një agjendë joliberale. Gjithashtu paralajmëron për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Kinës në rajon, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore dhe huadhënies. Me po aq shqetësim, vëren raportimet për përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim në Maqedoninë e Veriut. I bën thirrje BE-së të mbështesë Maqedoninë e Veriut në forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme që ushtrohen përmes rrjeteve fetare. Shpreh shqetësim për narrativat që promovohen në rajon dhe që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, përfshirë të ashtuquajturën “Bota Serbe””, thuhet në raport.
Raporti për Maqedoninë e Veriut u miratua nga Parlamenti Evropian dhe përmban vlerësime dhe rekomandime lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit, sundimin e ligjit, reformat demokratike dhe zhvillimet gjeopolitike që ndikojnë në rajon.
Përndryshe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës” vitin e kaluar, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Evropian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq.
tag_katrorimaqedoni_2