Kryeministri Edi Rama, në daljen e parë “Sy m’sy” me qytetarët në rrjetet sociale pas zgjedhjeve të 11 majit, ku siguroi një mandat të katërt qeverisës, ironizoi kundërshtarët e tij politik.
“Gjallë është ky?”, ishte komenti i një qytetari, të cilit Rama iu përgjigj: “Gjallë jam o Shpëtim. Luli a është gjallë? Unë gjallë jam”.
Më tej, ironizoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën.
“Populli shqiptar më kupton më mirë dhe më shumë se ç’mund të pretendoja, duke më inkurajuar dhe mbështetur dhe dhënë 1001 arsye që t’i qëndroj besnik dhe të bëj të pamundurën për të bërë sa më shumë për këtë vend dhe për njerëzit e këtij vendi, falë besimit, mbështetjes dhe pushtetit që buron nga ky popull, i cili, ua kam thënë të gjithë atyre që e marrin lehtë, që është një popull që të jep unë në bisht të lugës kështu që kush e merr lehtë bën një gabim të madh. Një gabim shumë të madh, aq monumental saqë mjafton të ndiqni të tjerë këtyre ditëve se në çfarë derexheje mendore janë katandisur për të kuptuar se çfarë të ndodh po e more lehtë këtë popull”, tha Rama.