Një punonjës i qeverisë amerikane është arrestuar për kërcënimin me vrasje të presidentit Donald Trump, dhe për përdorimin e kompjuterit të tij të punës për të hulumtuar komplotin e dyshuar, thanë prokurorët.
Hetuesit pretendojnë se Dean DelleChiaie, 35 vjeç, i cili është i punësuar si kontraktor i Administratës Federale të Aviacionit (FAA) në New Hampshire, kërkoi në internet se si të fuste një armë në një strukturë federale dhe frazën “Do ta vras Donald John Trump”.
Ka pasur tre ndjekje të tjera penale për kërcënime kundër Trump gjatë javës së kaluar, përfshirë një ku ish-drejtori i FBI-së, James Comey u akuzua për një foto në Instagram me guaska deti.
I akuzuari do të paraqitet në gjykatë të martën. Avokati i tij nuk mund të kontaktohej menjëherë
Dean DelleChiaie, një inxhinier mekanik për departamentin që mbikëqyr hapësirën ajrore të SHBA-së, akuzohet gjithashtu se ka kërkuar detaje rreth familjeve të Zëvendëspresidentit JD Vance dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, thanë prokurorët.
Sipas një deklarate me betim, FAA e raportoi atë tek forcat e ligjit pasi ai i kërkoi departamentit të IT-së që të fshinte historikun e tij të kërkimit nga kompjuteri i tij i punës.
Një agjent i Shërbimit Sekret thuhet se e intervistoi atë në shtëpi më 3 shkurt, ku dyshohet se pranoi kryerjen e kontrolleve.
“DelleChiaie shprehu, në thelb, se ajo që e motivoi atë të kryente këto kontrolle ishte se ai ishte i mërzitur me administratën aktuale bazuar në tema të shumta, duke përfshirë zgjedhjet, faljet presidenciale dhe ‘dosjet Epstein'”, deklarojnë hetuesit në deklaratën me betim.
Ai gjithashtu pranoi se zotëronte tre armë, sipas prokurorëve.
Duke njoftuar akuzat të martën, prokurorët thanë se DelleChiaie përdori kompjuterin e tij personal më 21 prill për t’i dërguar një email Shtëpisë së Bardhë me temën: “Kontaktoni Presidentin”.
Në email, ai dyshohet se shkroi: “Unë, Dean DelleChiaie, do t’ju neutralizoj/vras – Donald John Trump – sepse vendosët të vrisni fëmijë – dhe të thoni se ishte Luftë – kur në realitet – është terrorizëm. Zoti i di veprimet tuaja dhe ku i përkisni”.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 250,000 dollarësh.
Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, javën e kaluar ka pasur tre ndjekje penale të tjera për kërcënime kundër Trump.
Të mërkurën e kaluar, ish-drejtori i FBI-së, James Comey, u dorëzua në polici pasi u akuzua për kërcënim të dyshuar ndaj Trump në një foto të guaskave deti në Instagram.
Të hënën, një burrë nga Karolina e Jugut u arrestua nga Shërbimi Sekret për një kërcënim kundër Trump. Sipas prokurorëve, burri kishte shkruar në makinën e tij se po shkonte drejt Uashingtonit “për të vrarë presidentin”.
Javën e kaluar, një burrë nga Florida u deklarua fajtor për kërcënime kundër Trump, si dhe zyrtarëve të tjerë publikë dhe anëtarëve të Kongresit.
“Kërcënimet kriminale të drejtuara ndaj zyrtarëve publikë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe kjo duhet të ndalet tani”, tha prokurori amerikan për Distriktin Verior të Floridës, John Heekin, në një konferencë shtypi për të njoftuar pranimin e fajësisë.
“Ne kemi tolerancë zero për një kriminalitet të tillë në Distriktin Verior të Floridës dhe do të kërkojmë dënime maksimale për të mbajtur zyrtarët tanë publikë të sigurt”, shtoi ai.
Arrestimet vijnë gjithashtu më pak se dy javë pasi një person i armatosur hyri me forcë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në një përpjekje të dyshuar për të vrarë Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane. /Telegrafi