Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se do ta mbështesë Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, pavarësisht se e afroi Partinë Demokratike të Kosovës në bashkëqeverisje në kryeqytet, në një marrëveshje koalicioni për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës tha se “nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar” të saj.
Rama tha në një postim në Facebook se përgjegjësia, rendi, zhvillimi dhe dhërbimi ndaj qytetarit është filozofia e së djathtës.
“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!”, shkroi ai.
Tha se “Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim”.
“Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”, shkroi ai.
Rama tha se “Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet”.
Emërimet e drejtorëve nga LDK-ja, ai tha se “janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ‘Kolegjiumi; i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm”.
Për drejtorët e shkarkuar së fundmi, të cilëve Rama tha se u ka “përfunduar mandati”, shpreh “mirënjohje të veçantë” për “profesionalizmin dhe kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetit”.