Paris Saint Germain-Dortmund, sfida e kthimit për raundin e 1/8-ave të Champions League do të luhet pa praninë e tifozëve.
Vendimi është marrë nga UEFA, derisa është konfirmuar edhe nga klubet se më e mira për të gjithë është që dyert e ‘Parc des Princes’ të jenë të mbyllura për tifozët, për shkak të kërcënimit nga sëmundja ngjitëse, koronavirus, raporton Gazeta Express.
Për të përmbysur disfatën 2-1 të ndeshjes së parë, klubi francez jo vetëm që nuk do të mbështetet te prania e tifozëve, por nuk do të ketë në dispozicion as yllin e skuadrës, Kylian Mbappe.
Raportohet se futbollisti po kalon një gjendje gripale dhe me shumë gjasa do të mungojë të mërkurën.
Koronavirusi po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjitha shtetet e Evropës dhe kjo është arsyeja kryesore që sfida mes PSG-së dhe Dortmundit do të luhet pa tifozë.
Sa i përket kampionatit francezë autoritet tashmë nuk do të lejojnë më shumë se 1000 tifozë të pranishëm në ndeshje.
Mbappe është lojtari më në formë te Parisi, me 30 gola në 32 paraqitje, andaj do të jetë e vështirë për vendasit që të përmbysin gjithçka pa 21-vjeçarin në fushë. Ai nuk ka mundur të stërvitet ditën e sotme, nesër do të jetë treni i fundit për të, mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje t’ia dalë, të paktën që ta nisë sfidën nga stoli. /Gazeta Express/