Sonte në “Parkun e Princave” do të zhvillohet një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit në futbollin evropian.
Paris Saint-Germaini do ta presë Bayern Munichun në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat, kampione në ligat respektive dhe ndër më të fortat në Evropë, do të ballafaqohen në atë që konsiderohet si një “finale para kohe”.
Kampioni aktual evropian vjen në këtë sfidë në një formë të shkëlqyer. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique i ka fituar 8 nga 9 ndeshjet e fundit, duke i shënuar 26 gola dhe duke e mbajtur portën e paprekur në 6 takime.
Në Champions, parisienët i kanë regjistruar 9 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje këtë sezon, shkruan “Gazeta Express”.
Nga ana tjetër, gjiganti bavarez është po ashtu në formë fantastike, me 11 fitore në 12 ndeshje në Champions dhe e ka vetëm një humbje.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany i ka fituar 9 ndeshje radhazi dhe vjen pas një rikthimi spektakolar 4-3 ndaj Mainzit në kampionatin gjerman.
Sa u përket statistikave, historikisht Bayerni ka avantazh në përballjet direkte, me 9 fitore kundrejt 7 të PSG-së.
Statistikat tregojnë se ndeshjet mes tyre janë të forta dhe shpesh me pak gola, por forma aktuale e sugjeron një duel spektakolar me gola nga të dyja palët.
Tek PSG-ja në formë spektakolare janë Kvaratskhelia, Dembele e Hakimi.
Nga ana tjetër, Bayerni i ka në formë kulmore lojtarët ofanzivë, Kane dhe Olise.
PSG-ja hyn në këtë ndeshje pothuajse me skuadër të plotë.
Në anën tjetër, Bayerni s’do të mund të llogarisë në sulmuesin Gnabry.
Trajneri i parisienëve, Luis Enrique, u shpreh me shumë besim: “Në këtë ndeshje s’ka favorit, por ne jemi skuadra më e mirë në Evropë dhe duam ta dëshmojmë këtë edhe një herë.”
Ndërkohë, trajneri i ekipit gjerman, Vincent Kompany e vlerësoi kundërshtarin, por mbeti optimist: “PSG-ja meriton respekt, por ne duam të arrijmë në atë nivel dhe ta tregojmë këtë në fushë.”
Pra, sonte pritet një ndeshje shumë të ekuilibruar dhe me gola nga të dyja skuadrat.
PSG-ja konsiderohet si favorit i lehtë në shtëpi, por Bayerni mbetet favorit për kualifikim në finale.
Kjo përballje pritet të jetë një spektakël i vërtetë, ku dy nga sulmet më të forta në Evropë do të përplasen për një vend në finalen e madhe të Champions League. /Gazeta Express