Ekspertët paralajmërojnë se, ndonëse uji në shishe nuk prishet vetë, plastika ku ai ruhet mund të degradojë me kalimin e kohës, duke rritur rrezikun e përthithjes së mikroplastikave të dëmshme.
Zakonisht, shishet e ujit mineral mbajnë një datë skadence prej 18 muajsh deri në 2 vjet. Kjo datë nuk ka të bëjë me ujin brenda, por me materialin plastik të shishes. Deri në atë periudhë, uji ruan shijen dhe cilësinë e tij, por pas saj, rritet rreziku i çlirimit të grimcave plastike në ujë.
Rreziku i mikroplastikave
Studime të fundit kanë treguar se mikroplastikat – fragmente plastike të vogla sa një fraksion mikroskopik – janë gjetur në indet e mushkërive njerëzore, placentë, qumësht gjiri dhe madje edhe në gjak.
Këto grimca lidhen me:
Rritje të rrezikut për disa lloje kanceri
Uljen e numrit të spermatozoideve
Probleme neurologjike si ADHD dhe autizëm
Inflamacione kronike dhe çrregullime hormonale
Sipas Dr. Sherri Mason, një nga studiueset kryesore mbi ndotjen plastike, plastikat shërbejnë si “mjet transportues” që çojnë kimikatet sintetike të rrezikshme në trupin tonë.
Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ka paralajmëruar se disa grimca mund të depërtojnë në gjak dhe të ngjiten në organe vitale, duke shkaktuar dëmtime afatgjata.
Konsumatorët e ujit të ambalazhuar marrin më shumë mikroplastika
Një studim i ri i udhëhequr nga Sara Sajedi, eksperte e menaxhimit të mjedisit në Concordia University, zbuloi se personat që pijnë ujë të ambalazhuar – edhe para datës së skadencës – konsumojnë rreth 900,000 grimca më shumë mikroplastike çdo vit sesa ata që pijnë ujë të rubinetit.
Sajedi paralajmëroi se mikroplastikat mund të:
Shkaktojnë çrregullime të florës bakteriale të zorrëve (dysbiozë intestinale)
Rrisin rrezikun e sëmundjeve respiratore
Lidhën me depresionin dhe kancerin e zorrës së trashë, duke prishur balancën e trupit.
Faktorët që përshpejtojnë degradimin e shishes
Edhe pse plastika PET (e përdorur për shishet) nuk përmban substanca shumë të rrezikshme si BPA ose ftalate, cilësia e saj mund të përkeqësohet më shpejt nëse:
Shishet ruhen në mjedise të nxehta
Ekspozohen ndaj rrezeve të diellit
Vendosen pranë kimikateve me erë të fortë
Në këto kushte, shija dhe aroma e ujit mund të ndryshojnë, ndërsa mikroplastikat rriten ndjeshëm.
Alarmi nga shkencëtarët
Kërkimet e fundit nga Australia zbuluan se mikroplastikat në ushqim mund të ndryshojnë aktivitetin e baktereve të zorrëve, duke krijuar modele të ngjashme me ato që lidhen me depresionin dhe kancerin e zorrës së trashë.
Ishte hera e parë që një studim te njerëzit tregoi ndikimin e mikroplastikave në mikrobiomën e zorrëve. /GazetaExpress/