Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka konfirmuar se ka hapur procedurë hetimore për spiunazh të mundshëm në Kabinetin e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova. Sipas Prokurorisë, procedura është hapur më 18 dhjetor 2025, pasi Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Krim Kompjuterik, ka dorëzuar njoftim lidhur me një ngjarje të ndodhur më 24 nëntor 2025 dhe me indicie për aktivitete të palejuara që prekin interesat e larta shtetërore. “Po atë ditë u hap procedura paraprake dhe menjëherë u ndërmorën të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore të Prokurorisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë, përcjell gazeta KOHA.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale urdhër për kontroll të sistemit kompjuterik me qëllim verifikimin e përmbajtjeve që mund të jenë kopjuar në mënyrë të paautorizuar nga sistemi informativ i Kabinetit të Presidentes. Njëkohësisht janë lëshuar urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët e dorëzuar nga Kabineti presidencial në MPB.
“Prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe kopje të incizimeve nga kamerat e sigurisë që lidhen me ngjarjen e raportuar. Megjithatë, sipas në fillim të vitit 2026 është njoftuar se Kabineti i Presidentes nuk disponon me kopje të video-materialeve, pasi pajisjet janë siguruar përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), ndërsa ruajtja dhe administrimi i incizimeve është në kompetencë të MPB-së. Nga SHPPP është konfirmuar se institucioni ka qenë përgjegjës vetëm për furnizimin e pajisjeve, ndërsa materialet e video-mbikëqyrjes ruhen nga MPB-ja”.
Prokuroria thekson se, pavarësisht kërkesave të dërguara, deri më sot nuk ka marrë asnjë informacion kthyes nga MPB lidhur me sigurimin e këtyre incizimeve.
“Më 16 mars 2026, MPB-ja ka informuar Prokurorinë për disa aktivitete të ndërmarra për sigurimin e qasjes në të dhënat e enkriptuara nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara. Gjithashtu janë dorëzuar dy telefona celularë të marrë nga personi i raportuar, me kërkesë që të kryhet nxjerrja e të dhënave në Qendrën Hetimore të Prokurorisë. Më 25 mars 2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e rastit, prokurori kompetent ka urdhëruar analizë të të dhënave nga telefonat celularë, si dhe analizë të përbashkët të materialeve të nxjerra nga pajisjet kompjuterike. Po ashtu, është kërkuar edhe vlerësim i veprimeve të ndërmarra sipas urdhrit gjyqësor për kontroll dhe inspektim të sistemit informativ të Kabinetit të Presidentes”.
Deri më sot, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së veprimit në kohë, Prokuroria nuk ka marrë njoftim nga MPB për rezultatet e aktiviteteve të ndërmarra dhe as për provat e siguruara.
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e sistemit informativ në institucionin më të lartë shtetëror, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të dyshimeve për spiunazh vazhdojnë. (koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2
Reisebüro Prishtina është partneri juaj i besueshëm për udhëtime të sigurta, të shpejta dhe pa stres. Me përvojë shumëvjeçare...