Ditën e djeshme, gjatë numërimit të votave me Kusht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është gjetur një fletëvotim i dyshimtë nga komuna e Leposaviqit.
Kështu mëson Gazeta Express nga burimet e saja, nga ku bëhet e ditur se, fletëvotimi i dyshimtë, ka pasur votën për Listën Serbe, dhe se i njëjti ka qenë fotokopje.
Gjetja e këtij fletëvotimi ngrit dyshime edhe për zhvillimin e fenomenit që njihet si ‘’treni bullgar’’.
Për këtë rast, janë deklaruar edhe nga Prokuroria e shtetit. Këta të fundit, për Express, kanë konfirmuar se është iniciuar rastin “keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, në bazë të nenit 213 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
”Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda ka inicuar rastin lidhur me dyshimet për veprën penale ”Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, sipas nenit 213 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, në kuadër të hetimeve fillestare, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është sekuestruar edhe fletëvotimi, me qëllim të ekzaminimit dhe verifikimit të tij gjatë procedurës hetimore.
Aktualisht, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje”, thuhet nga Prokuroria.