Ish-mesfushori i Bayern Munichut, Dietmar Hamann, beson se Harry Kane nuk e ka një cilësi të rëndësishme që mund ta udhëheqë Anglinë drejt triumfit në Botërorin 2026.
Komentet e tij erdhën pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të kapitenit anglez në fitoren 4-2 ndaj Kroacisë, ku Kane realizoi dy gola dhe barazoi rekordin e Gary Lineker si golashënuesi më i mirë i Anglisë në historinë e Kupës së Botës me 10 gola.
Megjithatë, Hamann mendon se sulmuesi i Bayern Munichut ende nuk ka dëshmuar se mund të bëjë diferencën në ndeshjet më të mëdha të fazës eliminatore.

“Nga 10 golat e tij, shtatë ose tetë kanë ardhur në fazën e grupeve. Ai duhet të shënojë në ndeshjet me eliminim direkt. Dua ta shoh kundër Francës në të tetat e finales ose kundër Brazilit në çerekfinale. Deri tani nuk e ka bërë këtë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Hamann.
Ish-reprezentuesi gjerman shtoi se do të preferonte disa sulmues të tjerë para Kane në skuadrën e tij, kryesisht për shkak të mungesës së shpejtësisë.
“Në futbollin e turneve, ndonjëherë duhet të luash në kundërsulm. Kane nuk është lojtar që mund të përshkojë 50 apo 60 metra me shpejtësi për të përfunduar një aksion. Nëse lojtarë si Madueke, Gordon apo Rashford nisen me vrull, ai nuk mund t’i ndjekë në të njëjtin ritëm”, u shpreh ai.
Didi Hamann coming for Harry Kane not doing it in the big games and his lack of pace pic.twitter.com/aOLA3sveBm
— Daniel Hussey (@DanielHussey2) June 17, 2026
Hamann pranoi se aftësia e Kane për të finalizuar është ndër më të mirat në botë. “Përfundimi i aksioneve është ndoshta më i miri në këtë turne, madje një nga më të mirët në botë. Jepi gjysmë rasti dhe ai do të shënojë. Por pyetja është nëse ai do t’i ketë ato raste kundër skuadrave si Gjermania, Brazili apo Franca”, shtoi gjermani.
Megjithatë, statistikat tregojnë se Kane ka shënuar në ndeshje të mëdha, përfshirë kundër Francës në Botërorin 2022 dhe ndaj Holandës në fazën eliminatore të Euro 2024. Sulmuesi 32-vjeçar tani ka mundësinë t’u përgjigjet kritikëve në fushë dhe të ndihmojë Anglinë të fitojë Kupën e Botës për herë të parë pas 60 vitesh. /GazetaExpress/