Shuarja e Rilindasit të Fundit (1936 -2026) - Biografia e studjuesit Rexhep Qosja sipas ASHAK - Gazeta Express
string(88) "shuarja-e-rilindasit-te-fundit-1936-2026-biografia-e-studjuesit-rexhep-qosja-sipas-ashak"

Lajme

Gazeta Express

23/04/2026 12:47

Shuarja e Rilindasit të Fundit (1936 -2026) – Biografia e studjuesit Rexhep Qosja sipas ASHAK

Lajme

Gazeta Express

23/04/2026 12:47

Rexhep Qosja, i cili vdiq sot në moshën 90 vjeçare, ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981

I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.

Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.

Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.

Biografia

Lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpër­blimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Bibliografia

Vepra në gjuhën shqipe:

Episode letrare, Rilindja, Prishtinë, 1967.

Dialogje me shkrimtarët, Rilindja, Prishtinë, 1968.

Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.

Antologjia e lirikës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.

Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë, 1972.

Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1972.

Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974.

Shkrimtarët dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishitnë, 1975.

Anatomia e kulturës, Rilindja, Prishtinë, 1976.

Mite të zhveshura, Rilindja, Prishtinë, 1978.

Prej tipologjisë deri te periodizimi, ASHAK, Prishtinë, 1979.

Morfologjia e një fushate, Instituti Albanologjik,Prishtinë, 1980.

Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.

Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I-II-III, Rilindja, Prishtinë, 1984-1985.

Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe Proza, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1985.

Porosia e madhe, Prishtinë, 1986.

Populli i ndaluar, Prishtinë, 1990.

Fjalori demokratik, Prishtinë, 1997.

Çështja shqiptare, Historia dhe politika, Prishtinë, 1998.

Ligjërime paravajtëse, Prishtinë, 1998.

Strategjia e bashkimit kombëtar, Prishtinë, 1998.

Paqja e përgjakshme, Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, Prishtinë, 1999.

Tronditja e shekullit I, Tiranë, 2001.

Tronditja e shekullit II, Tiranë, 2001.

Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, 2001.

I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, 2002.

Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006.

Ideologjia e shpërbërjes, trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Toena, Tiranë, 2006.

Realiteti i shpërfillur, Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, Toena, Tiranë, 2006.

Të vërtetat e vonuara: përgjigje e dytë në polemikat e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij, Toena, Tiranë, 2006.

Rilindja e dytë, Toena, Tiranë, 2007.

Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007.

Bijtë e askujt, I dhe II, Valdoli, 2010.

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime, i cili në pesë cikle përmban këto vepra: I. Veprat historiko-letrare: 1. Vazhdimësi, 2. Panteoni i rralluar, 3.Asdreni – jeta dhe vepra, 4. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, 5. Anatomia e kulturës, 6. Nocione të reja albanologjike, 7. Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 2, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3, 8. Porosia e madhe, 9. Tri mënyra të shkrimit shqip, 10. Semantika e ndryshimeve historiko-letrare. II. Veprat letrare: 11. Antologjia e lirikës shqipe, 12. I ringjalluri i penduar, 13. Mite të zhveshura, 14. Vdekja më vjen prej syve të tillë, 15. Një dashuri dhe shtatë faje, 16. Nata është dita jonë, 17. Bijtë e askujt 1, Bijtë e askujt 2. III. Veprat historike dhe historiko-dokumentare: 18. Çështja shqiptare – historia dhe politika, 19. Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, 20. Paqja e përgjakshme, 21. Tronditja e shekullit 1, Tronditja e shekullit 2, 22. Rilindja e dytë. IV. Veprat publicistike: 23. Populli i ndaluar, 24. Strategjia e bashkimit shqiptar, 25. Ligjërime paravajtëse, 26. Fjalor demokratik, 27. Demokracia e shpërdorur, 28. Intelektualët, etika dhe politika. V. Veprat polemike: 29. Morfologjia e një fushate, Ideologjia e shpërbërjes, Realiteti i shpërfillur, Të vërtetat e vonuara.

Advertisement
Advertisement
Advertisement