Polipi, nikoqir i autorëve të huaj - Gazeta Express
string(37) "prishtina-nikoqire-e-autoreve-te-huaj"

Polipi, nikoqir i autorëve të huaj

Arte

Gazeta Express

19/05/2022 13:59

Prej datës 13 maj deri me 15 maj u mbajt festivali ndërkombëtar i letërsisë Polip i cili solli në Prishtinë emra autorësh prej shumë vendeve të Evropës.

Nga: Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Suedia, Gjermania, Franca, Bosnja, Kroacia, Serbia, Britania, Kosova, Maqedonia e Veriut e shumë vende tjera u bënë bashkë në festivalin i cili solli para publikut kosovar lexime, promovime, mbrëmje muzikore e net poetike.

Hapësira e Teatrit “Oda” mbeti për tri ditë rresht pikë takimi i shkrimtarëve e lexuesve të cilët patën mundësinë të bashkëbisedojnë e të ndajnë idetë e tyre. “Polipi” nuk mbeti veç gërshetim shkrimtarësh por edhe gjuhësh e kulturash.

Vetë fakti se organizatorët ishin prej tri vendeve, tregon për një festival lloj-llojshmërish, duke u bërë bashkë për letërsinë sepse fundja, letërsia e arti nuk njohin gjuhë.

Eqrem Basha, Adis Galushi, Nikola Nikolic, Joel Vernet, Aleksander Pavlovic, Mitja Cander, Carsten Jensen ishin vetëm disa prej autorëve të cilët biseduan, lexuan e folën për librat e tyre.

Foto:Driton Pacarada

Mes panelisteve që ndërroheshin secilën mbrëmje u fol për shumë tema madje edhe për cenzuren e shkrimtarëve në disa vende e për luftën në Ukrainë përmes pikëpamjeve të tyre.

Sebnem Isiguzel, autorja turke tregoi para publikut për vështirësitë e të qenit shkrimtare në një vend si Turqia, specifikisht edhe të qenit shkrimtare feministe në një shoqëri siç është ajo turke.

Foto:Driton Pacarada

Në anën tjetër Edis Galushi, i cili përfaqësonte komunitetin rom në këtë festival, rrëfej për vështirësitë e këtij komuniteti i cili gjithmonë mbetet në mes, duke mos ditur kë ta zgjedh e nga kush të zgjidhet.

Foto:Driton Pacarada

Aleksander Pavlovic promovoi para publikut librin “Shqiptari Imagjinar”, ndryshe Pavlovic njihet si studiues i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbeve dhe mund të merret lehtë si njohës i historisë se shqiptarëve. Pse ai shkroi këtë libër, autori shprehet kështu:

“Ka shumë pyetje, unë nuk jam nga Kosova, nuk kam asnjë të afërm nga këtu, në një pikë gjatë hulumtimeve mendova se e njoh historinë e Kosovës mjaftë mirë. Pyetja është se si mund ta llogarisim njëri-tjetrin armik, përderisa ne me shekuj kemi jetuar bashkë, do të thotë s’po flasim për ekzistencë por për jetesë. E shkrova këtë libër sepse për vendet e Ballkanit kishte shumë paragjykime se janë njerëz të egër dhe kanë një kulturë ndryshe.”

Autori tjetër Aidan Hehir ndau historinë e gjenezës se librit të tij “Lulet e Srebrenicës”, udhëtimin e tij në Bosnjë dhe idenë e krijimit të historisë se masakrave në Srebrenicë. Ai foli edhe nga pikëpamja personale, për të gjitha krimet në Kosovë e Bosnjë të cilat nuk mund të mohoheshin sepse ishin aty, historia kishte dëgjuar e shkruar për to.

Foto:Driton Pacarada

Shkrimtarët lexuan , poezi e tregime, i thanë ato çfarë kishin për t’i thënë për temat të cilat u ngritën për diskutim, për shumicën prej të cilëve ishte hera e parë në Kosovë.

Tema e pranishme në këtë edicion ndryshe prej herave tjera ishte lufta në Ukrainë, temë kjo e cila u diskutua nga këndi i shkrimtarëve, se sa një shkrimtar mund të bëjë për një temë të tillë e sa mund të ndikojnë vetë ata në konflikte që ndikojnë shoqëritë në gjithë botën.

Jeton Neziraj foli për Express për organizimin dhe për festivalin në përgjithësi:

“Organizimi ka shkuar mire, sado qe, sfida ka gjithmonë, dhe ato janë te gjithfarshme. Megjithatë, ne krahasim me sfidat e telashet e organizimit te dy edicioneve te shkuara, ne rrethana te pandemisë, sivjet mund te them se organizimi ka qenë shumë më i kollajshëm dhe me pak stresues”- tha Neziraj.

Për formatin e festivalit ai tha se ka pësuar vazhdimisht ndryshime që nga edicioni i parë:

“Ky festival ka ndryshuar ne vazhdimësi – ai është nisur si festival i poezisë, por pastaj i janë shtuar edhe komponenta të ndryshme. Shpesh është mbajtur ne lokacione të ndryshme, duke përfshirë edhe në kafene. Në këtë drejtim, po, pandemia sikur e ka bërë të domosdoshme ndryshimin e formatit. Si do të duket në të ardhmen, nuk e dijmë, por nuk do të jetë ky festival që ka qenë deri tani”- përfundoi Neziraj.

Foto:Driton Pacarada

Festivali “Polip” ka një traditë të gjatë të organizimit dhe erdhi si ide shumë vite me parë për të mbledhur në Prishtinë, autorë vendor e të huaj, për të ndarë idetë e tyre rreth letërsie e për ta njëjtësuar kulturën e leximit në shumë gjuhë të ndryshme.

/Gazeta Express