Prishtina “mbretëreshë” e barazimeve, Dukagjini i rri në bisht - Gazeta Express
string(59) "prishtina-mbretereshe-e-barazimeve-dukagjini-i-rri-ne-bisht"

Prishtina “mbretëreshë” e barazimeve, Dukagjini i rri në bisht

Futboll

Moral Pozhegu

29/04/2024 14:23

FC Prishtina ka mbetur prapa skuadrave që po e kërkojnë titullin e kampionit të Kosovës.

Bardhekaltrit e shohin veten në vendin e pestë me 43 pikë, plot 20 më pak se lideri, Ballkani.

Lexo Edhe:

Mungesa e stadiumit ishte problemi kryesor i kryeqytetasve, të cilët kohë pas kohe u ankuan edhe në referim, shkruan “Gazeta Express”.

Madje, drejtori i klubit, Artan Osmani, i ftuar në emisionin “Favorit” pak javë më parë tha se prishtinasit janë dëmtuar me plot 12 pikë nga gjyqtarët.

Sidoqoftë, është edhe një detaj që e ka lënë prapa klubin më të madh.

Po flasim për barazimet, të cilat nuk u janë shkoqur prishtinasve në sezonin 2023/24.

Prishtina në fakt, pak më shumë se gjysmën e ndeshjeve të këtij edicioni i ka të mbyllura me “X”.

Pra, nga 31 ndeshje të zhvilluara, ekipi i trajnerit Emmanuel Egbo i ka 16 barazime.

Kryeqytetasit ndërkohë i kanë 9 fitore dhe 6 humbje, me një goldallim prej +6, me 33 gola të shënuar dhe 27 të pësuar.

E atyre në bisht po iu rri Dukagjini, kur flasim për barazimet.

Skuadra nga Klina e ka vetëm një barazim më pak – 15, sesa Prishtina.

Barazimet kanë qenë pengesë edhe për ekipin e Armend Dallkut që ta zë ndonjë pozitë më lartë në tabelë, shkruan “Gazeta Express”.

Aktualisht, ekipi klinas gjendet në vendin e gjashtë me 39 pikë, 5 më shumë se Feronikeli 74 dhe Gjilani, të cilat gjenden në zonën e barazhit, pesë xhiro pa përfunduar sezoni.

Ndërkohë, ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit i ka edhe 8 fitore e 8 humbje, me goldallim -6 pasi i ka shënuar 31 gola dhe i ka pësuar 37.

Në pesë xhirot e fundit, Prishtina dhe Dukagjini do të mundohen t’ju shmangen “X”-ave, të cilët iu kanë ardhur në majë të hundës.

Kurse, Malisheva është skuadra me më pak barazime, më saktësisht 4 sosh nga 31 ndeshje të zhvilluara, ndërsa i ka edhe 16 fitore e 11 humbje. /Gazeta Express/