Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i ka dërguar një mesazh mbështetës trajnerit Carlo Ancelotti në fillimin e aventurës së “Seleçaos” në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se italiani mund të hyjë në histori nëse arrin ta rikthejë trofeun në Brazil.
Lula u shpreh se pritshmëritë e tifozëve brazilianë janë gjithmonë të mëdha kur bëhet fjalë për Botërorin dhe se suksesi në këtë turne e ka një peshë të veçantë për çdo trajner që e drejton kombëtaren pesë herë kampione të botës.
“Nëse arrin ta fitosh Kupën e Botës, do të bëhesh një hero në Brazil”, ishte mesazhi i presidentit brazilian për Ancelottin, i cili e mori drejtimin e ekipit kombëtar me synimin për t’i dhënë fund pritjes së gjatë për titullin botëror.
Italiani është trajneri i parë i huaj që e drejton Brazilin pas shumë dekadash dhe ardhja e tij e ka krijuar entuziazëm të madh në vend.
Megjithatë, presioni mbetet i jashtëzakonshëm, pasi “Seleçao” nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002.
Ancelotti e nisi turneun me një barazim 1-1 ndaj Marokut në Grupin C, rezultat që nuk e kënaqi plotësisht opinionin sportiv brazilian, por që trajneri e konsideroi një pikë të rëndësishme për ta shmangur një start negativ.
Presidenti Lula theksoi se kombëtarja e ka cilësinë e nevojshme për të luftuar për trofeun dhe e shprehu besimin se përvoja e Ancelottit në nivelet më të larta të futbollit mund të jetë një armë e fortë për Brazilin në rrugëtimin drejt suksesit në Botërorin 2026. /Gazeta Express