Postet si pronë private - Gazeta Express
string(23) "postet-si-prone-private"

OP/ED

Gazeta Express

18/12/2020 14:35

Postet si pronë private

OP/ED

Gazeta Express

18/12/2020 14:35

E gërditshme të dëgjosh shumicën e partive politike teksa deklarohen se posti i presidentit “i takon” njërës ose tjetrës. Thua se bëhet fjalë për një pronë private që i takon dikujt, e jo për një përgjegjësi të rëndësishme shtetërore për të cilën vendosin qytetarët me votë, e jo si në pazar.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Sa herë vjen puna për krijimin e qeverive ose zgjedhjen e presidentit, nisin pazaret e partive politike për të ndarë pozita. Në të tilla raste partitë sikur harrojnë fuqinë elektorale që kanë, harrojnë parime e programe, harrojnë gjithçka – vetëm të kapin pjesën e vet që thonë se “u takon”. Ky diskurs tregon mentalitetin e ndërtuar vite me radhë, kur zyrtarët partiake pozitat publike i konsiderojnë si të jenë pronë private.

Ka ndodhur në këtë vend që partitë politike të marrin pozita të rëndësishme shtetërore, përkundër fuqisë së papërfillshme politike. Ndër të tilla raste duhet sjellë ndërmend katër-pesë ministri që “i takuan” një partie me 4-5 për qind vota. Ose, një post zëvendëskryeministri që i takoi një individi fare pa parti, por që kishte ndërmjetësuar që koalicioni të krijohej.

Në të tilla raste, partitë nuk e kanë dert edhe të shantazhojnë partnerët më të mëdhenj të koalicionit, për të përfituar sa më shumë. Kështu ndodh së paku në këta pesëmbëdhjetë vjetët e fundit.

Asgjë e re, në një situatë kur politika nuk ndan vetëm postet me logjikën se “iu takojnë”, por ndan edhe zona interesi. Me këtë logjikë, partitë kapin borde kompanish publike, agjencish të pavarura dhe institucionesh tjera. Me këtë logjikë i ndajnë pozitat edhe në hierarkinë e institucioneve universitare dhe jo vetëm. Me këtë logjikë i ndajnë pozitat edhe në krye të institucioneve të rëndësishme shëndetësore, financiare. Me këtë logjikë e ndajnë hisen edhe në diplomaci. Kudo që munden dhe kurdo që munden. Si të bëhet fjalë për shtëpinë e tyre, për familjen e tyre. Sepse “iu takon”.

* * *

Çështja e zgjedhjes së presidentit i ka shpërfaqur edhe një herë apetitet e partive. Debate për pozitën më të lartë të shtetit nuk zhvillohet mbi baza parimore, por mbi baza pronësie personale.

Kërkesën e tij për t’u bërë president, Ramush Haradinaj po e paraqet si ofertë për vendin. Madje, zyrtarë të partisë së tij po e interpretojnë këtë “vullnet” si sakrificë të madhe. Pra, ai po mendon, mbase edhe beson, se “i takon” të bëhet president.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila i mban dy pozitat tjera të rëndësishme në vend, po thotë se nuk “i takon” presidenti, por kjo pozitë “i takon” Partisë Demokratike të Kosovës. PDK, ndërkaq, po deklarohet se nuk ka vota për asnjë kandidat tjetër, përveç për atë që e propozon vetë, dmth. karriga “i takon” asaj. Madje, edhe Nisma Socialdemokrate është shprehur e gatshme që presidenti “t’iu takojë” atyre. Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë qysh herët se mbështet opcionin që presidenti të zgjedhet pasi të mbahen zgjedhjet nacionale.

Njësoj si për presidentin, partitë janë sjellë edhe gjatë krijimit të koalicioneve qeveritare. Janë shpikur ministri të caktuara, për të plotësuar apetite të caktuara. Janë shtuar pozita zëvendëskryeministrash e zëvendësministrash për të njëjtin qëllim. Madje, janë shpikur edhe pozita koordinatorësh. Sepse, partitë kanë këmbëngulur se “iu takojnë” këto pozita, për t’u bërë pjesë e qeverisë.

Të thuash se të takon diçka është në rregull, por vetëm në aspektin privat. Postet publike nuk ekzistojnë për “t’i takuar” dikujt, as për të rehatuar dikë. Kjo nuk ndodh në vende normale. Natyrisht, Kosova nuk është e tillë.

Shembujt e thjeshtë të emërimit të njerëzve nëpër borde tregojnë logjikën se si funksionon politika në Kosovë. Partive më të mëdha “iu takojnë” më shumë anëtarë, të voglave më pak. Në vend që të jenë kritere kryesore profesionalizmi, ekspertiza e atyre njerëzve, më e rëndësishmja është përkatësia partiake.

* * *

Nëse edhe posti i presidentit vihet në diskutim se kujt “i takon”, vetëm mund të supozohet se çfarë ndodh në nivelet më të ulëta. Kjo çështje ka mundur dhe mundet të rregullohet fare lehtë. Mjafton vullneti politik për reformë zgjedhore, në mënyrë që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Por, partitë nuk janë të interesuara për një gjë të tillë, sepse dëshirojnë që gjithçka të vënë në pazar. Në këtë mënyrë përfitojnë më shumë.

Njësoj do të mund të vendosej fare lehtë edhe sa anëtarë duhet t’i ketë kabineti qeveritar, e jo që kjo të definohet sipas dëshirave dhe shantazheve të partive e individëve të caktuar. Po njësoj do të mund të vendosej edhe për dhjetëra borde e pozita të tjera institucionale. Por, atëherë partitë dhe politikanët nuk do të mund të funksiononin si duhet, sepse janë mësuar të bëhen pjesë e pazareve, shpesh edhe të ndyta, në përpjekje për të kapur ndonjë copë pushtet. Pa marrë parasysh se nuk kanë fuqi politike për të merituar një pozitë. Pa marrë parasysh se qytetarët i kanë dhënë secilit në zgjedhje aq sa meriton.