Sipas një raportimi nga “SPORT”, transferimi i ri i Barcelonës, Joan Garcia, ka përjetuar një javë të vështirë dhe të tensionuar që nga momenti i mbërritjes së tij në qytet pas kalimit nga Espanyol.
Portieri i ri, i cili u bashkua zyrtarisht me Barcelonën të martën e kaluar, ka marrë disa mesazhe dhe thirrje kërcënuese, gjë që e ka detyruar të qëndrojë brenda për sigurinë e tij.
Situata u përshkallëzua shpejt sapo lajmi për transferimin e tij u bë publik.
Garcia filloi të merrte kërcënime në telefonin personal dhe thirrje nga numra të fshehur, çka e detyroi të ndryshojë numrin e telefonit.
Ndërsa aktualisht ndodhet me pushime, 24-vjeçari ka shmangur daljet publike dhe ka preferuar të qëndrojë në shtëpi, duke dalë vetëm në raste të rralla për të takuar miq të afërt.
Të mërkurën, ai ishte i ftuar në një festë ditëlindjeje, por refuzoi të marrë pjesë, për të shmangur çdo vëmendje publike në këtë periudhë të tensionuar.
Raportimi thekson se Garcia është i vetëdijshëm për emocionet e forta që ka shkaktuar transferimi i tij, veçanërisht te tifozët e Espanyolit, të cilët e kanë përjetuar si një tradhti, duke marrë parasysh rivalitetin mes dy klubeve të Barcelonës.
Megjithatë, disa nga ish-shokët e tij te Espanyol kanë treguar mbështetje të heshtur.
Edhe pse nuk mund ta mbrojnë hapur vendimin e tij për shkak të ndjeshmërisë së situatës, ata e kanë kuptuar arsyen e kalimit dhe e kanë kontaktuar në mënyrë private.
Të tjerë, megjithatë, nuk kanë reaguar pozitivisht, duke pasur vështirësi ta pranojnë që Garcia zgjodhi të bashkohej me rivalin e qytetit.
Pavarësisht kësaj, portieri i ri duket i përqendruar te e ardhmja e tij profesionale, duke e përballuar presionin me maturitet, pa kërkuar vëmendje dhe duke shmangur rreziqet e panevojshme.
Ndërsa situata pritet të qetësohet, Barcelona shpreson që 24-vjeçari të lërë pas këtë fillim të vështirë dhe të përgatitet për një sezon konkurrues që e pret përpara./GazetaExpress/