Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot kryesisht të kthjellët dhe me diell gjatë javës së ardhshme.
Sipas njoftimit, përjashtim bën dita e premte, kur pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat në pjesën e dytë të ditës mund të sjellin stuhi lokale, kryesisht në disa zona të izoluara.
IHMK-ja ka apeluar për kujdes të shtuar ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me ndjeshmëri ndaj temperaturave të larta.
E hënë – Moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 12°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 27 deri në 31°C. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.
E martë – Moti do të jetë me diell gjatë gjithë ditës. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 14°C, kurse ato maksimale pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.
E mërkurë – Moti parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 18°C, ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 28 dhe 33°C. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-2 m/s.
E enjte – Moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht mbi relievin malor. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 12 dhe 18°C, kurse maksimalet do të arrijnë nga 31 deri në 35°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga verilindja.
E premte – Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Në pjesën e dytë të ditës, vranësirat pritet të shtohen dhe në disa zona mund të krijojnë kushte për stuhi afatshkurtra. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18°C, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë, nga veriperëndimi dhe verilindja./Kallxo.com