Politikë pa politikëbërje - Gazeta Express
string(25) "politike-pa-politikeberje"

OP/ED

Gazeta Express

26/06/2026 9:39

Politikë pa politikëbërje

OP/ED

Gazeta Express

26/06/2026 9:39

Shkruan: Bernard Nikaj

Në kulmin e debatit të brendshëm në Partinë Laburiste Britanike, debat që përfundimisht çoi edhe në dorëheqjen e Kryeministrit Keir Starmer, ish-kryeministri Tony Blair publikoi një ese të gjatë duke ofruar një kritikë të ashpër për drejtimin e qeverisë. Argumenti i tij nuk ishte se partia laburiste kishte humbur thjesht popullaritetin, por se kishte humbur diçka shumë më të rëndësishme: një vizion koherent për Britaninë. Sipas Blair, qeveria po reagonte ndaj zhvillimeve ditore pa një strategji afatgjatë për vendin, ndërsa shumë iniciativa ligjore dhe politike po dëmtonin potencialin ekonomik dhe zhvillimor të Britanisë. Në fund të argumentit të tij ai rikujtoi një parim të thjeshtë, por thelbësor të qeverisjes: kur je në qeveri, politika publike duhet të vijë përpara politikës partiake.

Ky është një mësim që vlen edhe për Kosovën.

Brenda rreth një viti e gjysmë, Kosova ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore dhe një krizë të zgjatur institucionale. Gjatë kësaj periudhe, gara politike jo vetëm që e ka spostuar politikëbërjen në plan të dytë, por e ka lënë vendin pa një debat serioz për drejtimin zhvillimor të tij. Vendimet e qeverisë kanë qenë kryesisht të orientuara drejt përfitimit politik afatshkurtër, e jo drejt ndërtimit të një vizioni të qëndrueshëm për dekadën e ardhshme.

Mjafton të shikosh sektorët kryesorë të shtetit. Në arsim është e vështirë të kuptosh se cili është modeli që synohet të ndërtohet. Në shëndetësi mungon një rrugë e qartë reformash. Në energji vendimet janë shpesh reaktive dhe jo pjesë e një strategjie afatgjatë. Në infrastrukturë projektet shpallen, nuk perfundohen dhe rrallë shpjegohen si pjesë e një koncepti zhvillimor më të gjerë. Po të pyetej sot një qytetar se si pritet të duket Kosova pas dhjetë vitesh, në cilindo nga këta sektorë, do të ishte shumë e vështirë per të te ofroje një përgjigje koherente.

Edhe më shqetësuese është se ky debat pothuajse mungon edhe në hapësirën publike. Flasim vazhdimisht për partitë, sondazhet, koalicionet dhe deklaratat politike, por shumë pak për përmbajtjen e politikave publike.

Një shembull i freskët është debati mbi “gazin amerikan”. Pas deklaratave të ambasades amerikane, debati publik shpërtheu menjëherë. Megjithatë, shumë shpejt ai u shndërrua në një përplasje tifozësh politikë, e jo në një diskutim serioz mbi politikat energjetike të Kosovës.

Pyetjet që do të duhej të shtroheshin janë krejtësisht të tjera. Edhe qendrimet e Qeverise do te duhej te ishin te qarta dhe ti japin pergjigje ketyre pyetjeve.

Çfarë nënkupton konkretisht pranimi i gazit amerikan? A ekziston një ofertë konkrete financiare apo komerciale? Cilat do të ishin kostot për Kosovën? Si do të ndërtohej infrastruktura? Cilat do të ishin përfitimet ekonomike? Si do të ndikonte kjo në tranzicionin energjetik dhe në objektivat klimatike? Cilat jane alternativat nese prap humbet momentumi?

Vite më parë, përmes MCC-së ishte diskutuar një paketë mbështetëse që lidhej me zhvillimin e infrastrukturës së gazit. Sot nuk është e qartë nëse ekziston një ofertë e ngjashme apo nëse kushtet kanë ndryshuar. Pikërisht për këtë arsye nevojitet transparencë dhe analizë, jo slogane.

Në vend të kësaj, qeveria në detyrë nuk ka ofruar një qëndrim të plotë strategjik mbi këtë çështje. Hapësira është mbushur nga deklaratat e mbështetësve politikë, ndërsa debati është reduktuar në një pyetje absurde: “A je me Amerikën apo kundër Amerikës?” Kjo nuk është politikëbërje. Kjo është vetëm politikë.

Në një shtet serioz, çështje të tilla nuk trajtohen si prova besnikërie politike, por si vendime strategjike që kërkojnë analiza ekonomike, teknike, gjeopolitike dhe fiskale.

Prej kohësh mburremi se dimë të organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike. Shpesh themi se standardet tona zgjedhore janë më të mira se ato të shumë vendeve të regjionit. Dhe, në masë të madhe, kjo është e vërtetë.

Por kjo e vërtetë përfundon ditën kur mbyllen kutitë e votimit.

Pas zgjedhjeve, Kosova vazhdon të mbetet një shtet në tranzicion, pa një vizion koherent për zhvillimin e saj. Ashtu siç paralajmëronte Tony Blair për Britanine e Madhe, edhe ne rrezikojmë të humbasim në politikën e përditshme sepse nuk kemi debat dhe ide të qartë se ku duam ta çojmë vendin.

Vazhdojmë të masim suksesin me rezultatet zgjedhore, me sondazhet dhe me betejat politike të ditës, ndërsa politika publike mbetet në hije. Në të njëjtën kohë, vendet e tjera ecin përpara, ekonomitë e tyre transformohen, institucionet forcohen. E ne nderkohe qytetarët tanë vazhdojnë të largohen nga vendi.

Në fund, nuk do të gjykohemi per organizimin e zgjedhjeve, por do te gjykohemi sa mirë kemi ndërtuar shtetin pas tyre.

Advertisement
Advertisement
Advertisement