Poezia e javës/ Yeates: Zë Zagari - Gazeta Express
string(31) "poezia-e-javes-yeates-ze-zagari"

Poezia e javës/ Yeates: Zë Zagari

Arte

Gazeta Express

05/04/2024 17:34

William Butler Yeats (1865- 1939), është bindshëm poeti më i madh i shekullit XX. Ai kaloi një jetë jashtëzakonisht të pasur e produktive: është themeluesi dhe fari i Ringjalljes Letrare Irlandeze dhe të Teatrit Abbey, Teatrit Kombëtar të Irlandës: patriot, shkrimet e të cilit frymëzuan intensivisht betejën e Irlandës për vetëvendosje politike: ka qenë anëtar i Senatit më 1922 kur Irlanda fitoi lirinë 700 vjet pas administrimit të huaj

ZË ZAGARI

Lexo Edhe:

Ngase i duam kodrat e zhveshura e pemët e rrudhura

E se ne e përfunduam vendosjen në këtë troll,

Zëri ynë bart mërzitinë ndenjur apo me armë në duar,

Sepse për vite një zagar na shoqëroi.

Dhe nëpër udhën e gjumit

Një pakicë herë e fjetur, herë duke u zgjuar si qëpari

E çlidh gjuhën, e deklaron emrin e fshehur: «Zë Zagari».

Urtë e me ëmbëlsi flisnin femrat që zgjodha

E prapë me gjuhën çlidhur: «Zë Zagari» ishin pa përjashtim.

Njëri-tjetrin e zgjidhnim nga larg,

E dinim orën kur terrori vjen vë shpirtin në testim;

Të bindur ndaj thirrjes, në emër të terrorit, ndenjtëm drejtqëndrim

Dhe kuptuam atë që askush s’e mori vesh kurrë:

Imazhet që në gjak zgjohen me zhurmë.

Agimi në këmbë do na gjejë një ditë

Dhe para derës do hasim zagarët e shkuar,

E me sytë katër do e dimë se gjahu ka vënë buritë.

Sërish do kalamendemi në shtegun e gjakut zezonë

Dhe drejt masakrës në breg, si të përgjëruar;

Mandej do pastrojmë e do fashojmë plagët,

Me këngë fitoreje, mes zagarëve ne të rrethuar.

Shënim:

Kjo poezi është një nga poezitë e fundit të autorit. Sipas Charles Altierit kjo poezi është «ndoshta një nga orvatjet e fundit të Yeatesit për t’iu përngjitur frymës heroike të Irlandës… përsa u përket imazheve qëzgjohen e gëlojnë në gjak dhe që si medium kanë lidhjen me një cilësi specifike të tingullit. Rëndësia e poezisë në këtë variant të imagjinares shfaqet në orvatjen për të krijuar aktivitet e vullnet nisur nga imazhet materiale të gjahut, që tani, më shumë se imazhe, janë regjistrime të gjendjes përtej aftësive mendore».

Si rrjedhim, i njëjti kritik vijon argumentin nisur nga forma që poeti ka përdorur këtu: «Edhe funksioni i sintaksës këtu kërkon atë që qytetaria e zakonshme nuk e përballon dot. Struktura kryefjalë-kallëzues në vargjet e para të strofës së fundit modulohet bukur falë modifikimit të ndajfoljes (‘wide awake’) në një seri pjesoresh, e së fundi në një botë, veprimi përkufizohet veç nga fraza emërore… Dhe kështu vargu i fundit i gëzohet një bote ku madje edhe vetë imazhet thuajse janë fshirë nga këngët, aq triumfuese ato, sa janë ato dhe jo nxitësit që mbajnë kontrollin».

Zhgënjimi historik, mjaft i pranishëm te Yeatesi, shfaqet sërish në këtë poezi, me nota të ndezura. Po pikërisht ky kuqëlim në zhgënjim, ku janë kondensuar tabani, seksi, vullenti dhe gjahu në tri strofa, na kthejnë së brendshmi, për të parë, sipas fjalëve të kritikut «diçka që shtrihet shumë përtej arsyes, thellë në impulset e mishit».

/Marrë nga: “Lundrimi drejt Bizantit”, William Butler Yeats, përzgjodhi dhe përktheu Idlir Azizi, Shtëpia Botuese ‘Aleph’, Tiranë, 2017

/Gazeta Express