Poeti - Gazeta Express
string(5) "poeti"

Arte

Gazeta Express

19/04/2026 15:11

Poeti

Arte

Gazeta Express

19/04/2026 15:11

Ag Apolloni

“Poeti” (spanjisht: Un poeta; anglisht: A Poet) është një film që e nxjerr në shesh kotësinë e kohës sonë. Një film për një njeri që ka ngecur mes ëndrrës dhe realitetit. Atij i duhen para për ta çuar vajzën në fakultet, por librat nuk i shiten. Kërkon që t’i reklamohen librat më shumë, por i sugjerojnë të shkojë në TV se aty është vendi ku reklamohen librat dhe njerëzit. Kështu që, ai shkon në një emision ku bashkë me të janë ftuar edhe dy të tjerë, një reper dhe një organizator i Festivalit të Frutave. Ai ka dëshirë të lexojë poezi aty, por mes ‘bullshit’-it të mysafirëve dhe moderatorëve, nuk ka vend as vëmendje për vargje dashurie. (Kjo lidhet fort me shoqërinë tonë të kurthuar nga kotësirat televizive, aq sa edhe shkrimtarët për t’u pasuruar e për t’u popullarizuar, duhet të futen nëpër ahure, ferma e tharqe televizive). Ky poet kolumbian (Oscar Restrepo), i cili e ka model poetin José Asunción Siva (i cili, pas shumë tragjedish që i kishin ndodhur, kishte bërë vetëvrasje në moshën 30 vjeçare), pasi del nga televizioni bindet se është dashur të vdesë si tridhjetë vjeçar.

Gjithsesi, në film trajtohen edhe stereotipa si: shkrimtari si qenie e vuajtur, apo fama që mund të vijë pas vdekjes. Ne shohim një poet-baba që i premton vajzës së tij shkollimin në fakultetin më të mirë, por që vetëm pak minuta më vonë, duke mos pasur asnjë cent në xhep, i kërkon para asaj. Gjithashtu, ai duke u përpjekur ta ndihmojë një nxënëse të talentuar dhe ta mbrojë nga abuzimi eventual, me sjellje infantile e komplikon punën aq shumë sa të tjerëve u duket se ai është përfituesi dhe abuzuesi, dhe kështu përfundon i rrahur nga vëllai i saj.

Është një moment domethënës sinqeriteti në film, kur ky i kërkon mendim një kolegu, i cili ia thotë troç: ti mund të tërhiqesh si Kafka e Siva, mund të vdesësh me shpresë se pas vdekjes do të të njohin, por së pari ulu dhe shkruaje së paku një kryevepër siç bënë ata. Kjo skenë tregon që modeli i keqkuptuar (Siva), i cili shfaqet herë pas here në kornizë, e ka shkatërruar jetën e poetit. Pra, shfaqet dilema nëse poeti sot duhet të izolohet totalisht, apo duhet të shkojë në emisione poshtëruese. Filmi kritikon të dy anët dhe kjo është bukuria e tij.

Në këtë film tragjikomik, poeti trajtohet si një qenie e brishtë, e trishtë, e varfër, naive dhe infantile, apo, shkurt, si një fëmijë i rritur. Skena përmbyllëse është një kryevepër: sapo i vdes e ëma, ai del në korridor duke qarë si fëmijë, ndërkohë që para i shfaqet e bija, e cila herën e fundit i kishte thënë se s’do ta takojë derisa ai të ndryshojë. Pra, vajza e kishte këshilluar babain të rritet. Tani janë përballë: ai qan për nënën e vdekur dhe fytyra nis t’i qeshë për kthimin e së bijës. Qan për të shkuarën dhe i qesh së ardhmes, dhe kjo është një shenjë se ai po ndryshon, sepse ‘i pandryshueshëm është vetëm ndryshimi’.

Dhe në fund, e veçanta e filmit është se poeti Oscar Restrepo luhet nga Ubeimar Rios, i cili realisht nuk është aktor, por poet dhe mësues në një gjimnaz në Kolumbi. Ai shkruan poezi dhe në shumë pika roli i tij përputhet me jetën e tij. Në njëfarë mënyre, ky ‘poet i dështuar’ e luan vetveten.

Ky është filmi i dytë i metrazhit të gjatë i regjisorit 40-vjeçar, Simón Mesa Soto, dhe ka fituar çmimin e jurisë në Kanë (seksioni Un Certain Regard), si dhe ka qenë i përzgjedhur për ta përfaqësuar Kolumbinë në kategorinë e Filmit më të mirë ndërkombëtar në Academy Awards, mirëpo, duke ndjekur fatin e poetit Oscar, filmi dështoi të nominohej për Oscars 2026. Në një botë të fokusuar vetëm në ‘storje suksesi’, duket si akt disident të shikosh një histori dështimi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement