Hansi Flick e ka tashmë të qartë planin për sezonin e ardhshëm te Barcelona dhe gjithçka sillet rreth ardhjes së afërt të Nico Williams.
Trajneri gjerman e konsideron anësorin e Athletic Club si pjesë kyçe të stilit të tij të lojës, dhe me marrëveshjen me lojtarin të mbyllur, mbetet vetëm të krijohet hapësira financiare për të aktivizuar klauzolën e lirimit.
Pasi transferimi të zyrtarizohet, Barcelona e re do të marrë formë, me një strukturë ofensive të qartë dhe ambicioze. Skema e preferuar e Flick do të jetë 4-2-3-1, ku:
Nico Williams do të luajë në krahun e majtë, duke ofruar gjerësi dhe rrezik në duelet një kundër një.
Lamine Yamal do të jetë titullar në krahun e djathtë.
Raphinha do të zhvendoset nga krahu në një rol më qendror si mesfushor ofensiv.
Dani Olmo do të jetë “false 9”, duke lëvizur mes vijave dhe duke krijuar hapësira.
Ndërkohë, Robert Lewandowski, në moshën 36-vjeçare, do të fillojë të ketë një rol më të kufizuar. Ai do të mbetet një lojtar i rëndësishëm, por nuk do të jetë më në qendër të projektit, për shkak të intensitetit dhe ritmit që kërkon sistemi i Flick.
Në mesfushë, dyshja Pedri dhe Frenkie de Jong do të jenë baza teknike e skuadrës, duke garantuar ndërtim të pastër dhe kontroll të lojës.
Flick dëshiron të ndërtojë një ekip që dominon me mbajtjen e topit, por që është agresiv në kundërsulme. Pas një sezoni fantastik me trofetë e La Ligës, Kupës së Mbretit dhe Superkupës së Spanjës, Barça tani synon të shkojë deri në fund në Ligën e Kampionëve.
Dhe për Flick, lojtari që mund ta përshpejtojë këtë kapërcim në cilësi është Nico Williams. Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për bashkimin e tij me klubin.