Prezantuesja franceze France Pierron është pezulluar përkohësisht nga televizioni sportiv i L’Équipe pas reagimeve të ashpra që shkaktuan komentet e saj për futbollistin belg Jeremy Doku gjatë Kupës së Botës.
Gjithçka nisi pasi ylli i Belgjikës dhe i Manchester City bëri të ditur se mund të largohet përkohësisht nga grumbullimi i kombëtares për të qenë pranë bashkëshortes së tij gjatë lindjes së fëmijës së tyre të parë. Doku ka deklaruar se lindja e djalit të tij është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e tij, megjithëse është i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka ndaj kombëtares.
Komentet e Pierron në emisionin “L’Équipe de Choc” shkaktuan zemërim të madh. Ajo e quajti të papranueshme mundësinë që Doku të humbiste një ndeshje të Botërorit për të qenë i pranishëm në lindjen e fëmijës së tij, duke deklaruar se babai ka një rol të parëndësishëm gjatë atij momenti.
Deklaratat u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kritikuan ashpër nga tifozë, gazetarë dhe figura publike. Përballë reagimeve, Pierron kërkoi falje publike.
“Po shprehja një mendim personal në kuadër të një debati. E kuptoj që fjalët e mia mund të kenë shqetësuar ose lënduar disa njerëz dhe kërkoj ndjesë për këtë. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të minimizoj rolin e babait pranë partneres dhe fëmijës së tij”, shkroi ajo.
Sipas raportimeve në Francë, drejtuesit e L’Équipe vendosën ta largojnë përkohësisht nga ekrani, ndërsa redaksia e kanalit ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është menaxhuar situata.
Në një deklaratë zyrtare, L’Équipe u distancua nga komentet e prezantueses dhe kërkoi falje ndaj Dokut dhe tifozëve të futbollit.
“Deklaratat e bëra në emision janë larg vlerave të grupit tonë. Kërkojmë falje ndaj lojtarit dhe të gjithë atyre që janë ndier të ofenduar”, thuhej në reagimin e mediumit francez. /GazetaExpress/