Trajneri i ardhshëm i Liverpoolit, Andoni Iraola, raportohet se po kërkon pesë përforcime të reja për të rindërtuar skuadrën pas shkarkimit të Arne Slotit.
Pas një sezoni që përfundoi me vendin e pestë dhe sigurimin e kualifikimit në Ligën e Kampionëve, Liverpooli konfirmoi të shtunën se kishte shkarkuar Slotin, vetëm një vit pasi ai e kishte udhëhequr klubin drejt titullit të 20-të kampion në Angli.
Iraola u bë menjëherë favorit për ta zëvendësuar holandezin, pasi kishte vendosur të largohej nga Bournemouth në përfundim të kontratës së tij.
Spanjolli njihet për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe intensiv të lojës, diçka që tifozët e Liverpoolit e pëlqejnë shumë, ndërsa emërimi i tij në “Anfield” duket i afërt pas arritjes së një marrëveshjeje në parim.
Sipas “ESPN”, Iraola ka identifikuar pesë objektiva kryesorë për afatin e tij të parë kalimtar.
Me largimet e Mohamed Salahut, Andy Robertsonit dhe Ibrahima Konates si lojtarë të lirë, Liverpooli ka nevojë urgjente për përforcime këtë verë.
Raporti thotë se një anësor i nivelit të lartë është prioritet dhe klubi po shqyrton dy opsione kryesore: Yan Diomande nga RB Leipzigu dhe yllin e Paris Saint-Germainit, Bradley Barcolan.
Një alternativë tjetër është sulmuesi anësor i West Hamit, Jarrod Bowen, sidomos pas rënies së klubit londinez nga Premierliga në javën e fundit të sezonit.
Liverpooli gjithashtu po kërkon një mesfushor cilësor dhe ka shfaqur interes për Adam Whartonin e Crystal Palacet. Në mbrojtje, “Të Kuqtë” pëlqejnë mbrojtësin e Interit, Denzel Dumfriesin.
Reprezentuesi i Holandës po ndiqet edhe nga Real Madridi dhe ka një klauzolë largimi prej 25 milionë eurosh, e cila mund të aktivizohet gjatë muajit korrik.
Sa u përket largimeve të mundshme, Alisson Beckeri dhe Curtis Jonesi po monitorohen nga Juventusi dhe Interi, ndërsa Federico Chiesa gjithashtu mund të rikthehet në Itali.
E paqartë mbetet edhe e ardhmja e Joe Gomezit përpara hapjes së afatit kalimtar.
Ndërsa largimet e Salahut dhe Robertsonit ishin të pritshme prej kohësh, largimi i Konates si lojtar i lirë doli në dritë vetëm fundjavën e kaluar, pasi ai nuk arriti marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Palët kishin zhvilluar negociata të gjata për një kontratë të re, por në fund nuk arritën kompromis, duke bërë që mbrojtësi francez të largohej nga klubi.
Në një postim në Instagram, Konate tha se ishte “thellësisht i trishtuar që nuk pata mundësinë t’ju përshëndes të gjithëve në ndeshjen e fundit”, duke shtuar se “nuk e dija se do të ishte hera ime e fundit me këtë fanellë para jush”.
Aktualisht, Konate është i fokusuar te Kupa e Botës me Francën, por sipas “Radioestadio Noche”, ai pritet të transferohet te Real Madridi, klub që ka kohë që e ndjek ish-mbrojtësin e RB Leipzigut.
Raportohet se Florentino Perezi po e përdor këtë transferim si pjesë të fushatës së tij për t’u rizgjedhur president i klubit madrilen.
Liverpooli ka në dispozicion talentët e rinj Jeremy Jacquet dhe Giovanni Leoni për të mbushur boshllëkun në qendër të mbrojtjes, por ekziston edhe mundësia e rikthimit të ish-mbrojtësit Jarell Quansah nga Bayer Leverkusen.
Klubi anglez kishte përfshirë një klauzolë riblerjeje prej rreth 70 milionë funtesh në marrëveshjen që e dërgoi mbrojtësin në Gjermani./GazetaExpress/