Shkruan: Donika Emini
Paramendojeni sikur po luani një lojë komplekse të tavolinës, me shumë rreziqe dhe me qindra faqe rregulla, e cila zgjat për dekada të tëra. Pas një kohe, familjarizoheni me lojën dhe rregullat e saj, duke e përshtatur në mënyrë të vazhdueshme strategjinë tuaj për ta fituar lojën. Pastaj, papritmas, midis lojës, prezantohen rregulla të reja e inkuadrohen lojtarë të rinj, kurse juve ju thuhet të tërhiqeni mënjanë e të bëheni shikues.
Si do të ndiheshit?
Me shumë gjasë, do ta vinit në pikëpyetje integritetin e gjithë lojës. Me frustrim, do ta shikonit tavolinën dhe do të hamendësonit se pse i keni shpenzuar dhjetë a njëzet vjet duke u munduar t’i zbatoni rregullat deri në hollësi, kur vetë hartuesit e tyre tani i trajtojnë ato si fleksibile.
Kjo ndjenjë e frustrimit sot po e riformëson qetësisht debatin për zgjerimin brenda BE-së. Megjithatë, BE-ja vazhdon të pretendojë sikur ende po e luan lojën e vjetër, teksa shtetet anëtare, njëkohësisht, propozojnë ndryshimin e rregullave.
Teksa Komisioni Europian mban narrativën e tij “28 deri më 2028”, duke lënë të kuptohet se BE-ja mund të zgjerohet nga 27 në 28 anëtarë dhe duke i ofruar Malit të Zi një horizont të mundshëm të anëtarësimit deri më 2028, dy dokumente të publikuara së fundmi – një non-paper nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe një letër nga kancelari gjerman, Friedrich Merz – tregojnë një realitetit tërësisht tjetër.
Kjo ngre pyetjen nëse procesi i zgjerimit të BE-së po e humb qëllimin e tij fillestar si rrugë drejt anëtarësimit të plotë, me shtetet anëtare të BE-së që përherë e më shumë po përpiqen ta zëvendësojnë atë me forma të reja të integrimit të pjesshëm pa ofruar një rrugë të qartë dhe të besueshme drejt anëtarësimit në BE.
Një non-paper propozon integrim gradual në tregun e përbashkët të BE-së
Një non-paper i qarkulluar nga pesë shtete anëtare të BE-së (Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia) propozon integrim gradual dhe sipas meritës në tregun e përbashkët për të gjitha shtetet kandidate për BE, pa trajtim preferencial për Ukrainën.
Ky non-paper propozon integrim gradual sektorial nëpërmjet qasjes hap pas hapi në tregun e energjisë, tregun e përbashkët digjital dhe mobilitetin e të rinjve, në këmbim të kritereve reformuese.
Në nivelin teknik, këto janë përfitime domethënëse: qasja më e madhe në treg, kostoja më e ulët e energjisë dhe mobiliteti më i mirë do të sillnin përfitime konkrete për bizneset dhe të rinjtë që sot.
Megjithatë, ky non-paper nuk e trajton pyetjen kryesore nëse ky proces do të çonte drejt anëtarësimit të plotë në BE. Integrimi sektorial ka kuptim vetëm nëse shërben si rrugë drejt anëtarësimit, e jo si zëvendësim i tij.
Në praktikë, kjo paqartësi u shërben shteteve anëtare të BE-së. Integrimi sektorial u lejon atyre të japin sinjale të angazhimit pa u përballur me zgjedhje të vështira politike. Anëtarësimi i plotë nënkupton pranimin e anëtarëve të rinj në institucionet e BE-së, ndarjen e fuqisë së votës dhe absorbimin e kostove të konsiderueshme financiare dhe politike. Integrimi sektorial i shmang këto zotime, duke krijuar paraqitjen e veprimit pa ndonjë obligim real.
Në Ballkanin Perëndimor, hapat e përkohshëm pa afate të qarta për anëtarësim shpesh janë shndërruar në objektiva përfundimtare. Pa afate konkrete, integrimi gradual ose i pjesshëm rrezikon të kthehet në zëvendësim të përhershëm për zgjerimin, duke e formalizuar në mënyrë efektive status quo-në.
Kancelari Merz propozon “anëtarësim të asociuar” për Ukrainën dhe “status të vëzhguesit” për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë
Letra e dytë nga kancelari gjerman Friedrich Merz paraqet vizionin e tij për zgjerimin, duke propozuar “anëtarësim të asociuar” për Ukrainën dhe status të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.
Ky propozim në radhë të parë niset nga konsideratat gjeopolitike dhe është kundër qasjes të bazuar në merita, që është promovuar nga BE-ja.
Berlini tani po e pranon atë që prej kohësh është nënkuptuar në Bruksel: anëtarësimi i plotë i Ukrainës nuk është realist. Shkalla e integrimit, përfshirë një sektor të madh bujqësor, mijëra përshtatje ligjore, si dhe rindërtimin pas luftës, e bën anëtarësimin të pamundur në planin afatshkurtër.
Propozimi për “anëtarësim të asociuar” për Ukrainën sinjalizon rreshtim me Perëndimin dhe i jep siguri Kievit, tekse shmang kufizimet institucionale të vetë BE-së. Ai ofron dukshmëri dhe ndikim, por pa të drejtë të votës apo autoritet formal vendimmarrës. Ukraina do ta fitonte një ulëse në institucionet e BE-së, por pa peshë politike reale. Vetë presidenti Zelensky, në një letër për udhëheqësit e BE-së, e ka bërë të qartë se kjo nuk mjafton dhe e ka quajtur propozimin të padrejtë, duke argumentuar se ai do ta linte Ukrainën në një pozitë ku do të ishte e pranishme, por s’do të kishte zë.
Nga ana tjetër, letra ofron shumë pak për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, që kanë pritur për vite të tëra. Në vend të anëtarësimit, ato do të vendoseshin në një kategori të “vëzhguesit”, një nivel i ri midis korridorit dhe derës, të pezulluara në një purgator diplomatik.
Në vend se ta përmirësojë procesin e zgjerimit, kjo qasje e riorganizon fqinjësinë e BE-së në një periferi të përhershme, pa rrugë të qartë drejt anëtarësimit. Për vendet që kanë kaluar më shumë se një dekadë duke ndjekur reformat, duke bartur kosto të mëdha në politikën e brendshme, si dhe duke ruajtur orientimin proeuropian përkundër ndryshimit të opinionit publik, mesazhi është i ashpër: rregullat mbesin në fuqi derisa të ndryshojë gjeopolitika.
Nga politika e zgjerimit të BE-së te menaxhimi i problemeve të BE-së
Në shikim të parë, të dy propozimet duken inovative, por në realitet ato pasqyrojnë një BE që nuk e di më se si të menaxhojë procesin e zgjerimit. Në vend se të përballen drejtpërsëdrejti me dështimin e vet politik, shtetet anëtare të BE-së po kërkojnë mënyra të reja për ta mbuluar mungesën e zgjerimit të mirëfilltë duke rishpikur dhoma të reja të pritjes.
Zgjerimi i BE-së ishte lavdëruar për një kohë të gjatë si një nga mjetet më të suksesshme në politikën e jashtme të BE-së. Megjithatë, sot, ai nuk duket më si proces largpamës apo transformues, por përherë e më shumë i ngjan një përpjekjeje për ta menaxhuar një problem e jo për ta ndjekur një politikë.
Këto propozime nuk tregojnë se BE-ja po përgatitet për zgjerim. Ato nuk shihen si produkt i një blloku politik që ka shpenzuar tri dekada duke përkufizuar zgjerimin si angazhim transformues.
Kjo do ta dobësojë seriozisht besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe asnjë kombinim pakosh sektoriale, ulësesh të vëzhguesve apo anëtarësimeve të asociuara nuk mund ta rregullojë atë. Problemi nuk është më teknik, por politik.
Kur shtetet anëtare të BE-së, siç është rasti me Gjermaninë, paraqesin ide të këtilla, kjo sinjalizon diçka të rëndësishme: ato nuk besojnë më se korniza ekzistuese mund të japë rezultate dhe nuk janë më të gatshme ta reformojnë këtë politikë.
Ndonëse është pozitive që Gjermania dhe disa shtete të tjera anëtare të BE-së i janë kthyer debatit të zgjerimit, shqetësimi është mosofrimi i një kornize ambicioze për Ukrainën, Moldavinë dhe, veçanërisht, për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë qenë duke pritur për dekada dhe meritojnë më shumë sesa një etiketë të re për të njëjtën derë të mbyllur.
Shkrimi i marrë nga Sbunker: