Pavarësisht ardhjes së Iraolës, ylli i Liverpoolit po e mendon largimin - Gazeta Express
string(70) "pavaresisht-ardhjes-se-iraoles-ylli-i-liverpoolit-po-e-mendon-largimin"

Futboll

Gazeta Express

06/06/2026 17:00

Pavarësisht ardhjes së Iraolës, ylli i Liverpoolit po e mendon largimin

Futboll

Gazeta Express

06/06/2026 17:00

Ylli i Liverpoolit, Federico Chiesa, ka pranuar se po e konsideron largimin nga klubi, në një intervistë të sinqertë ku foli edhe për situatën e dy bashkëlojtarëve të tij.

Chiesa, i cili u transferua nga Juventusi në vitin 2024, pati vështirësi për të gjetur minuta gjatë sezonit 2025/26 dhe e nisi vetëm një ndeshje në Premierligë për Liverpoolin.

Mungesa e aktivizimit bëri që të qarkullonin shumë raportime për një rikthim të mundshëm në Itali në janar, por dëmtimi i Alexander Isakut dhe pjesëmarrja e Mohamed Salahut në Africa Cup of Nations e penguan largimin e tij.

Shkarkimi i Arne Slotit mund t’u japë shumë lojtarëve të Liverpoolit një fillim të ri, pasi trajneri i ri Andoni Iraola pritet t’i rivlerësojë të gjithë.

Megjithatë, Chiesa e bëri të qartë se dëshiron të luajë më shumë.

“Dua të luaj dhe nëse nuk gjej vazhdimësi në Premierligë, do të më duhet ta kërkoj diku tjetër,” tha ai për “Gazzetta dello Sport”.

“Do të shkoj në SHBA për fazën përgatitore dhe më pas do të flas me klubin dhe me Iraolën. Pastaj do të shohim”, tha ai tutje.

Ai shtoi: “Sinqerisht, nuk kam luajtur shumë që nga fillimi i vitit 2026. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Liverpoolin. Në janar, klubi dhe Slot më thanë se nuk mund të largohesha. Kishin nevojë për mua. Ishte çështje numrash. Ishim në krizë. E kuptova situatën dhe qëndrova, duke mbajtur buzëqeshjen në fytyrë. Po flasim për Liverpoolin. Vitin e kaluar më dhanë mundësinë të fitoj Premierligën”.

Pavarësisht se nuk u bë titullar i rregullt pas transferimit prej 12.5 milionë paundësh, Chiesa mbetet shumë i pëlqyer nga tifozët e Liverpoolit.

Kur u pyet për mundësinë e kalimit tek Interi ose Como, ai u përgjigj: “Gjëja më e rëndësishme për mua janë minutat në fushë. Nuk jam aq mendjemadh sa të them se duhet të jem patjetër titullar. Jam gati të luftoj për vendin tim kudo”.

Ndërkohë, pas largimeve të Mohamed Salahut, Andy Robertsonit dhe Ibrahima Konatés, ekziston pasiguri për disa lojtarë të tjerë të skuadrës.

Talenti 17-vjeçar Rio Ngumoha po ndiqet nga Bayern Munichu, por Liverpooli nuk ka ndërmend ta shesë.

Sa i përket Curtis Jonesit, Chiesa zbuloi se mesfushori ka biseduar me të për jetën në Itali, ndërsa Interi thuhet se e vlerëson shumë.

“Ajo që më pyeti ishte si është jeta në Itali,” tha Chiesa.

“I thashë se është fantastike dhe moti është më i mirë se në Liverpool, i cili përveç kësaj është një vend i veçantë. Jones është një lojtar shumë i mirë teknikisht. Interi bën mirë që e konsideron”, shtoi italiani.

Ndërsa për portierin Alisson Beckerin, i cili është lidhur me një rikthim në Itali te Juventusi, Chiesa beson se ai do të qëndrojë në “Anfield”. “Nga sa dëgjoj, ai do të qëndrojë në Angli. Pastaj mbetet për t’u parë. Po flasim për një nga pesë portierët më të mirë në botë. Është një lider fantastik. Ka fituar gjithçka dhe bën diferencën si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes”, shtoi ai./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement