Sipas raportimeve nga “Le Parisien”, Paul Pogba është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate dyvjeçare me AS Monacon.
Më 6 qershor, ai është parë në qendrën stërvitore të klubit në La Turbie, ku thuhet se ka vizituar ambientet dhe ka zhvilluar bisedime me drejtuesit.
Mesfushori i përfaqësueses franceze (91 ndeshje, 11 gola) raportohet gjithashtu se ka gjetur tashmë banesë në zonë – një tjetër tregues se ardhja e tij në Monaco është e afërt.
Në moshën 32-vjeçare, Pogba duket se do të debutojë më në fund në Ligue 1, pas eksperiencave me Manchester United dhe Juventus, me synimin për t’u rikthyer në kombëtaren franceze në një klub që tashmë është kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Ai ka qenë larg fushave për gati dy vite, për shkak të një pezullimi për doping.
Pas ndarjes miqësore me Juventusin në nëntor 2024, ai ka qenë pa kontratë.
Ndeshja e tij e fundit zyrtare ishte më 3 shtator 2023 ndaj Empolit, me fanellën e Juventusit.
Vetëm pak ditë më vonë, një test pozitiv antidoping i solli një pezullim fillestar prej katër vitesh, që më pas u zvogëlua në 18 muaj./GazetaExpress/