Pas 25 vitesh Hasani humbi, KOK-u me kryetar të ri - Gazeta Express

Pas 25 vitesh Hasani humbi, KOK-u me kryetar të ri

OP/ED

Gazeta Express

29/03/2021 15:05

Z. Kryetar, rregullorja juve ju ka dhënë atë të drejtë që t’i delegoni 3 delegat sipas rëndësisë dhe nevojës në bordin ekzekutiv dhe ju e shfrytëzuat të drejtën statutare duke i emëruar tre persona. Prej jush presin një armatë e tërë e sportistëve e cila është me moshën më te re në Evropë…

Shkruan: Agim Kasapolli

Jam duke u rehabilituar nga Covid-19 dhe duhej të pushoja, mirëpo Kuvendi zgjedhor i KOK-së më bëri shumë kureshtar ta di a do të vazhdoj sulltanati 30 vjeçar i Besim Hasanit i kontrolluar dhe i dirigjuar në dy mandatet e fundit nga SHIK-u, apo ardhja e qeverisë se re iu dha guxim delegatëve ku shumica e tyre kanë qenë dhe ende janë në borde federatash të dirigjuara me dekada në shërbim të klaneve të KOK-ut, e në dëm të sportit! Kësaj here e patën mundësinë të votojnë lirshëm sipas bindjeve të veta. Për kryetar të KOK-së u kandiduan tre veta: Ismet Krasniqi , Besim Hasani, dhe Linda Shala që të tre për boten e sportit kosovar dhe ndërkombëtar krejtësisht persona anonim dhe pa pikë begrandi sportiv. Pas votimit posti i kryetarit i takoj Ismet Krasniqit me 53 vota, ndërsa Hasani i mori 41 vota, Linda Shala 11 vota. Kjo ma se miri flet se në bazat deleguese ende qëndrojnë prej pas lufte uzurpatorët e posteve dhe se shumica e tyre orientohen andej kah fryn era, apo presin favore prej kandidatit i cili konkurron dhe pas 25 vitesh delegatet vendosen që kryetar të jetë  Ismet Krasniqi.

Kush është Ismet Krasniqi?

Kam pas rastin  që më z.Krasniqin në T7 t’i zhvilloj dy intervista, ka qenë i ftuar si KFKK-së. Në të dy intervistat me argumente ka dëshmuar se ka kontribuar maksimalisht në avancimin e karatesë në Kosovë dhe ndërkombëtarizimin e saj, ka aftësi organizative dhe menaxheriale, gëzon autoritet të njerëzit e Federatës ndërkombëtare të karatesë. Disa herë ka deklaruar se aty është për t’i dhënë sportit, e jo për të përfituar nga djersa e sportistëve. Këtë vërtet e ka dëshmuar në praktikë në sportin e karatesë. Se sa do të jetë i suksesshëm në postin e KOK-së varet ekskluzivisht nga aftësia, vullneti i mirë dhe  vendosmëria e tij që menjëherë t’i fillojë reformat rrënjësore në bazat deleguese dhe në federata ku edhe këtu me dekada mbretëron modeli i sulltanatit (me disa përjashtime). Të gjitha këto allishverishe janë bërë në pajtim të heshtur dhe bashkëpunim tinëzar me ministrin e sportit, ku edhe në  këtë institucion tani me të drejtë pritet nga ministri i ri që edhe ky në detyrën e re të bëjë reforma. Të domosdoshme dhe të bëj ndarjen e KOK-së si OJQ nga kompetencat e shtetit që është financuesi kryesor i sportit në Kosovë. Nëse kjo ndodh atëherë do të dalin në pah të gjitha malverzimet që janë bërë gjatë dy dekadave të fundit me paratë e taksapaguesve kosovarë. Ndërsa nëse  kryetari i posa zgjedhur i KOK-ut Z. Krasniqi  e vazhdon punën aty ku e la Besim Hasani me bordin e kaluar ekzekutiv, atëherë kësaj populli i thotë: na shkoi murta e na erdhi kurta! Punën e parë qe duhet ta bëjë kryetari me bordin e harnum (sepse shumica përsëri u rizgjodhën) është shpallja e konkursit për sekretar gjeneral sipas statutit të KON. Të ketë transparencë në raportet financiare dhe dokumentet tjera që kanë qenë top sekret për opinion dhe mjetet e informimit gjatë dy dekadave të fundit, (për dallim prej KOK-ut këtë e kanë të gjitha KO të mbarë Evropës në uebfaqet e tyre, ndërsa uebfaqja KOK-ut është e vërshuar me mijëra foto nga sorollatjet e tyre nëpër botë. Tani një gjë është e qartë pas debaklit që e përjetoj Memli Krasniqi në garë për postin e nënkryetarit, ku i njëjti në kuvendin e kaluar fitoi vota më shumë se i ndjeri Fadil Vokrri, kjo është dëshmia më e mirë se pas dy dekadave në këtë shtëpi më të madhe të sportit nuk banon ma SHIK-u. Mirëpo kjo nuk do të thotë se baza deleguese e mbrapsht dhe e falsifikuar në shumicën e federatave, që edhe në këtë kuvend zgjedhor në poste erdhën përsëri njerëzit e klaneve, dhe militantët partiakë si puna e Vjollca Krasniqit, e cila qe dy dekada si militante e LDK gjithnjë zë pozita dhe edhe kësaj here përsëri u zgjodh ne bordin ekzekutiv! Besim Hasani me 41 vota të fituara në këtë kuvend, vetëm 12 ma pak se fituesi, votuan ata delegat që kërkuan mosndryshim në politiken e KOK-ut pra vazhdim të avazit të vjetër! Prej katër nënkryetarëve të posazgjedhur, tre prej tyre e sidomos Eugen Saraqini janë njerëz që kanë qenë të dirigjuar nga agjendat më të larta shtetërore, prandaj ky person i barrikaduar si kryetar i FHK- në hendboll krejtësisht anonim në këtë sport, mirëpo i përgdheluri i Hashim Thaçit, gjithnjë ka gëzuar favore duke qëndruar nga 40 ditë me meditje të majme në Rio si udhëheqës i rrugës për delegacionin e sportistëve dhe grupit “turistik” të njerëzve që udhëtuan në Rio me para të taksapaguesve kosovarë, ku asnjëherë nuk u kuptuan emrat e tyre! Tani përsëri janë në poste të shpikura të nënkryetarit! Po them të shpikura sepse në asnjë  komitet olimpik të asnjë  shteti të Europës nuk kanë më tepër se dy nënkryetarë, ndërsa të gjitha shtetet e rajonit e kanë nga një nënkryetar dhe me borde ekzekutive të përgjysmuara numerikisht. P.sh. Bordi ekzekutiv i Maqedonisë Veriore me banor përafërsisht të njëjtë me Kosovën, numëron gjithsej 5 anëtarë ku pagë mujore merr vetëm Sekretari gjeneral. Pikërisht kur bëhet fjalë për KOK-un, nënkryetari i formacionit të kaluar i KOK-së Memli Krasniqi prej Ministrisë së bujqësisë ku ishte ky vetë ministër e katapultoi këshilltarin e vet Shasivar Haxhijan, në bordin ekzekutiv, njërin anonim që kurrë në jetën e vet s’ka dëgjuar për sport,  mirëpo flitej se Shasivar Hagjija është në agjendat e ngushta të SHIK-ut, më vonë po ai bord ekzekutiv pa konkurs e emëroi Sekretar gjeneral! Po kryetari Hasani!? Ai në atë periudhë, qele guri gojën. Sepse e kishte “mizën ndër kapuç” dhe për keqpërdorime  materiale ishte i dënuar me 4 vite e gjysmë burg. Me KOK-un tani udhëhiqte politika e mbikëqyrur dhe e kontrolluar nga sekretari gjeneral bedeli i nënkryetarit i cili të vetmen punë e kishte t’i raportonte Krasniqit për çdo detaj e nënkryetari raportonte njeriut të parë të shtetit.

Sipas statutit të KON-it sekretar gjeneral mund te emërohen në KO të vendeve anëtare vetëm ata persona që i plotësojnë këto kushte, po i citoj:

1.Personi që pretendon të ketë këtë post, duhet  të jetë me profesion jurist i diplomuar, të ketë qenë sportist aktiv elitar i atij vendi se paku 10 vite; 2. Rjedhshem të komunikojë në gjuhen angleze ose frënge, gjuhë zyrtare në KON; 3. Në karrierë t’i ketë së paku pesë vite eksperiencë pune në federata apo lidhjet sportive; 4. Mandati i sek.gjeneral zgjat katër vite me pagesë sipas rregulloreve në përputhje me statutin e KON.

Asnjë prej këtyre kushteve ky njeri nuk i plotësoi, ai përkundër ka pagesë të majme, flitet se paga mujore e kryetarit Hasani ishte aq sa e ka një ministër, pra rreth 2000 euro, ndërsa sekretari 1600 euro të dy këta mbajnë rekorde në marrjen e mëditjeve  në udhëtime jashtë vendit. Se ky bord me vite të tëra ka punuar për interesa vetjake duke ruajtur postet  aq tepër e ka bastarduar punën sa që me vite është lejuar që sekretari të ketë drejt vote, që do të thotë se të gjitha vendimet  e marra në bordin ekzekutiv i bie se kanë qenë të kundërligjshme! Prandaj me mbi 120 shkrime dhe përafërsisht po aq emisione  televizive kam konstatuar se unë këtë komitet nuk e njoh si komitet olimpik të Kosovës, i cili i mbron interesat kombëtare. Mjerisht me përjashtim të dy gazetarëve dhe vogëlsisë sime të gjithë gazetarët sportivë tjerë kanë qenë 20 vjet ose të heshtur ose në shërbim të Besim Hasanit dhe atyre që i përmenda më lart. Natyrisht  këta gazetaret nuk kaluan pa favore.

Z. Kryetar, rregullorja juve ju ka dhënë atë të drejtë që t’i delegoni 3 delegat sipas rëndësisë dhe nevojës në bordin ekzekutiv dhe ju e shfrytëzuat të drejtën statutare duke i emëruar tre persona. Në këtë kuvend, përkundër faktit që kryetari i federatës së xhudos Agron Kuka nuk mori vota të mjaftueshme për t’u bërë anëtar i bordit ekzekutiv, ju si kryetar a mendoni se bordi i juaj ekzekutiv mund të paramendohet pa përfaqësuesin e xhudos, sporti i vetëm që na solli famë botërore dhe na bëri krenar. Nëse bordi i ri ngel pa përfaqësuesin e xhudos, atëherë ky bord e humb kuptimin e vet. Prej jush presin një armatë e tërë e sportistëve e cila është me moshën më te re në Evropë ku 70% e popullatës në Kosovë janë nën moshën 35 vjeçare, pra është ky një potencial i madh për rezultate kulminante sportive, prandaj këta me të drejtë presin nga ju që punën ta filloni që nga fillimi, e di se do ta keni vështirë, mirëpo duke u bazuar në vullnetin e juaj se bashku me bashkëpunëtorët e sinqertë do ta fitoni edhe këtë sfidë, e jo kurrsesi punën ta vazhdoni aty ku e lanë këta, sepse pa dalë e vërteta në shesh nuk ka prosperitet në këtë lami.