Fizikani teorik amerikan David Gross, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë, ka dhënë një paralajmërim të fortë për të ardhmen e njerëzimit, duke sugjeruar se rreziqet globale mund ta çojnë atë drejt një krize ekzistenciale shumë më shpejt sesa mendohet.
Gross, i cili u vlerësua me Nobelin në vitin 2004 për zbulime në fushën e fizikës teorike, thekson se kërcënimet më të mëdha sot janë lufta bërthamore dhe zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale.
Sipas tij, probabiliteti për një konflikt bërthamor global mbetet shqetësues dhe është rritur në dekadat e fundit.

Në një intervistë të fundit, ai sugjeroi se mundësia që një individ të jetojë edhe 50 vite të tjera është relativisht e ulët, duke përmendur një vlerësim të përafërt prej rreth 35 vitesh për shkak të rrezikut të luftës bërthamore.
Ai shtoi se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, një katastrofë globale mund të ndodhë edhe brenda këtij shekulli.
Gross thekson se situata është përkeqësuar pas shpërbërjes së marrëveshjeve për kontrollin e armëve bërthamore dhe përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë konfliktet dhe rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe vendeve me kapacitete bërthamore.

Një tjetër shqetësim madhor sipas tij është roli në rritje i teknologjive të avancuara, veçanërisht inteligjencës artificiale. Ai paralajmëron se automatizimi i sistemeve ushtarake dhe përdorimi i AI në vendimmarrje të shpejtë mund të krijojnë situata të rrezikshme dhe të paparashikueshme.
Në skenarë ekstremë, vendime kritike për përdorimin e armëve bërthamore mund të delegohen te sistemet inteligjente, të cilat megjithëse të avancuara, nuk janë të pagabueshme dhe mund të prodhojnë rezultate të pasakta.
Megjithatë, në përfundim, fizikani thekson se armët bërthamore janë krijim i njerëzimit – dhe si të tilla, eliminimi i tyre mbetet në dorën e vetë njerëzve. /GazetaExpress/