Pandemia koronavirus: Ademi e kontakton trajnerin Challandes dhe homologët e vet rajonalë - Gazeta Express
string(88) "pandemia-koronavirus-ademi-e-kontakton-trajnerin-challandes-dhe-homologet-e-vet-rajonale"

Pandemia koronavirus: Ademi e kontakton trajnerin Challandes dhe homologët e vet rajonalë

Gazeta Express

05/04/2020 12:48

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka kontaktuar trajnerin ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, për ta pyetur rreth gjendjes së tij në karantinë në Zvicër, midis pandemisë koronavirus. Ai ka biseduar edhe me homologët e vet evropianë.

Futbolli është pezulluar deri në një datë të papërcaktuar pothuajse në çdo vend të botës për shkak të Covid-19, por sistemi evropian i këtij sporti është prekur më së rëndi nga virusi, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Javën e kaluar, UEFA vendosi t’i shtyjë ndeshjet e play-off’it të Ligës së Kombeve për kualifikim në EURO 2020 – të cilat fillimisht ishin shtyrë për muajin qershor – deri në një njoftim të radhës.

Kjo nënkupton që ndeshja e Kosovës kundër fqinjit Maqedonisë në gjysmëfinale të play-off’it e shtyrë për qershor nuk do të luhet as në këtë datë por më vonë, me gjasë në vjeshtë. Javë më parë, UEFA e shtyu edhe Kampionatin Evropian 2020 për vitin 2021, për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi Covid-19.

Në një komunikatë për media, FFK-ja njoftoi se: “Me këtë rast, Challandes ia konfirmuar presidentit se është mirë me shëndet dhe se po qëndron në shtëpi me familjen e tij. Ai i ka uruar presidentit Ademi që kjo situatë të kalojë sa më shpejtë dhe t’i kthehemi normalitetit, derisa ka uruar që stafi i Federatës dhe i gjithë populli i Kosovës të jenë më shëndet të mirë dhe ta kalojnë me sukses dhe pa pasoja këtë pandemi, duke kërkuar njëherësh që të kenë durim dhe këto ditë t’i kalojnë pranë më të dashurve të tyre”.

“Presidenti Ademi dhe stafi i federatës janë në kontakte të vazhdueshme edhe me futbollistët e Kombëtares dhe fatmirësisht gjendja e tyre është e mirë. Po ashtu, presidenti Ademi përveç kontaktit të përditshëm me presidentin e FSHF-së, sot, ka kontaktuar edhe me homologët e tij nga Maqedonia, Rumania, Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Qipro, ku janë shkëmbyer informatat në lidhje me gjendjen aktuale dhe për veprimet që do të ndërmerren në javët në vazhdim në koordinim të plotë me UEFA-n”, thuhet tutje në komunikatë. /Gazeta Express/