Zyrtare: Shtyhet sërish ndeshja Kosovë-Maqedoni e Veriut - Gazeta Express
string(55) "zyrtare-shtyhet-serish-ndeshja-kosove-maqedoni-e-veriut"

Zyrtare: Shtyhet sërish ndeshja Kosovë-Maqedoni e Veriut

Gazeta Express

01/04/2020 17:50

Ndeshja e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 është shtyrë për herë të dytë, për shkak të krizës së pandemisë koronavirus, ka njoftuar UEFA.

Ndeshjet e play-off’it të Ligës së Kombeve për kualifikim në EURO 2020, të parapara të luheshin në maj, dhe që u shtynë për muajin qershor, janë shtyrë përsëri deri në një njoftim të radhës, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

UEFA e mbajti sot një video-konferencë me 55 federatat e saj anëtare, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës, për të biseduar për shumë çështje të rëndësishme sa i përket ecurisë së mëtejshme të kalendarit të garave në kampionatet kombëtare dhe ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Organi qeverisës i futbollit evropian vendosi që të gjitha ndeshjet e ekipeve kombëtare në të dy konkurrencat të shtyhen deri në njoftimin e radhës.

Kjo nënkupton që ndeshja e Kosovës kundër fqinjit Maqedonisë në gjysmëfinale të play-off’it e shtyrë për qershor nuk do të luhet as në këtë datë por më vonë, me gjasë në vjeshtë.

Javë më parë, UEFA e shtyu edhe Kampionatin Evropian 2020 për vitin 2021, për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi Covid-19.

UEFA doli me këto vendime pas mbledhjes:

  • Asnjë vendim i prerë nuk mund të merret përderisa të ekzistojë rreziku direkt nga virusi Covid-19 por duhet të shtrohen opsionet e mundshme dhe afatet të cilat duhet të respektohen;
  • Ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe të tri ekipeve tjera në grup do të shtyhen për një afat tjetër e sipas orarit të ngjeshur mund të ndodh në muajt e vjeshtës – Vendimi nuk është marrë, ekzistojnë së paku tri opsione;
  • Përfundimi i kampionateve nacionale mund të shtyhet, varësisht nga përhapja e virusit por ekziston qëndrimi që ndeshjet të luhen, kampionati të përfundon, varësisht nga formati i kampionatit dhe mundësisht te ketë uniformitet në gjetjen e zgjidhjeve dhe afateve përfundimtare;
  • Afatet kalimtare në FIFA TMS, çështja e kontratave, zgjatja e tyre, anulimi etj. janë duke u diskutuar në organet ligjore të UEFA-s për të pasur qëndrime të përafërta në mes të anëtarëve të UEFA-s;
  • Shtyhet afati i licencimeve dhe suspendohen disa rregulla që nuk përkojnë me situatën për garat e UEFA CHL dhe UEL, varësisht nga rëndësia e pesë kritereve të kërkuara;
  • Situata financiare e UEFA-s varet shumë edhe nga fakti se a do të luhen të gjitha ndeshjet e UCHL dhe UEL;
  • Ndeshjet e UEFA Nations League do të luhen në afatet e parapara (shtator, tetor dhe nëntor) por këtu mund t’i shtohen edhe ndeshjet e mbetura të “play-off”-it;
  • Garat e femrave, Futsal, të U-21 dhe mposhtë, sikurse edhe ndeshjet zhvillimore do të pësojnë ndryshime e disa formate finale mund të mos zhvillohen fare;