Pak hipokrizi “institucionaliste” - Gazeta Express
string(31) "pak-hipokrizi-institucionaliste"

Pak hipokrizi “institucionaliste”

OP/ED

Gazeta Express

25/08/2021 18:12

LDK ka zgjedhur të kritikojë të tjerët për ligje e rregullore të cilat i ka votuar vetë në Kuvend. Çështja e universitetit në Mitrovicën e Veriut shpërfaqi hapur se si kjo parti, e cila ka qejf të quhet institucionaliste, “harron” si ka vepruar në të kaluarën dhe nuk merr përgjegjësi. Ose i bie pishman, sikur Isa Mustafa për Asociacionin, themelimin e të cilit e nënshkroi vetë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Në vitin 2016, kur kryeministër ishte Isa Mustafa, në veri të vendit nisi ndërtimi i një lagjeje për serbët që duan të kthehen në Kosovë. Afër Zveçanit, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, u vu gurthemeli i lagjes “Suncana Dolina” (Lugina e Diellit). Më një investim prej 14 milionë eurosh nga Serbia, lagjja nisi të ndërtohet nga strukturat paralele atje – treqind njësi banesore për rreth 1500 të kthyer.

Kryeministri Mustafa tha atëbotë se projekti nuk do të lejojej së realizuari, sepse nuk ka leje. “Është e palejueshme dhe nuk ka asnjë vlerë përderisa institucionet nuk kanë dhënë leje”, theksoi ai. Megjithatë pushimet vazhduan.

Lagjja u ndërtua pa marrë leje nga institucionet. Ministria e Mjedisit konfirmoi se “Lugina…” po ndërtohej pa lejen e autoriteteve kosovare. Madje, ministrisë nuk i janë dhënë asnjëherë as dokumentet e kërkuara nga Komuna e Zveçanit. Pra, shteti i Kosovës u injorua tërësisht dhe askush nuk e pati fuqinë që ta ndalë ndërtimin e lagjes.

Në vitin 2020, përderisa lagjja në veri po shkonte drejt përfundimit, kryeministri tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se nuk do të lejohej ndërtimi i projekteve në veri, të cilat janë në kundërshtim me ligjet e shtetit të Kosovës. Ndërkaq Enver Hoxhaj, në cilësinë e zëvendëskryetarit të PDK-së, kishte thënë se “Lugina…” është përpjekje për kolonizim, që ka për qëllim ndryshimin e strukturës etnike në veri. Por, projekti kishte vazhduar.

Sipas të dhënave të agjencisë për regjistrimin e bizneseve në Serbi, “Lugina…” është në pronësi të Dioqezës Rashkë-Prizren, respektivisht Kishës Ortodokse Serbe. Por, sipas Planit të Ahtisaarit, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, Kisha mund të ndërtojë në Kosovë vetëm objekte që janë në shërbim të saj. “Lugina…” nuk është e tillë.

* * *

Pesë vjet pas fillimit të ndërtimit të “Luginës së Diellit”, në veri serbët vunë gurthemelin e objektit të, siç e quajnë ata, “Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë”. Një institucion paralel i arsimit të lartë, që funksionon i tillë që pas përfundimit të luftës.

Nëpërmjet një komunikate LDK dekaroi se “me këtë veprim ata delegjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës”. Pra, LDK e cila nuk kishte bërë asgjë për të ndaluar ndërtimin e “Luginës…” tash doli të flasë për delegjitimim të shtetit të Kosovës, ndërkohë që bashkë me parti të tjera e kishte legjitimuar universitetin serb në veri.

Në maj të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin për arsim në komunat e Republikës së Kosovës dhe në nenin e 14-të të tij listohen kompetemcat e zgjeruara për arsimin e lartë të komunës së Mitrovicës së Veriut. Një një pikë të këtij neni thuhet se kjo komunë do të sigurojë që ky universitet të ketë objekte dhe financim adekuat për veprimtarinë e tij edhe nga burime të tjera institucionale, ku specifikohen fondet nga Republika e Serbisë. Ligji ishte miratuar me votat e PDK’së, LDK’së e AAK’së dhe nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e palës serbe. Pra, universiteti në Mitrovicën e Veriut është në administrim të drejtpërdrejtë të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Po ashtu, gjatë kohës sa LDK ishte në qeverisje janë pranuar edhe diplomat që i lëshon ky institucion i arsimit të lartë. Më 30 dhjetor 2015, në kohën e koalicionit qeveritar LDK-PDK, është aprovuar Rregullorja 21/2015 nëpërmjet së cilës shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët i përfundojnë studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, iu njihen diplomat për qëllime punësimi në Kosovë. Sipas shënimeve zyrtare, të bëra publike nga zëvendësministri aktual i Arsimit, deri më 30 prill të këtij viti janë njohur 1709 diploma të lëshuara nga ky institucion.

* * *

LDK nuk ka dëshirë t’i përmendet “Lugina e Diellit”. Ka dëshirë të mos i përmenden as ligjet e rregulloret, për të cilat dha votën në Kuvend, e që legjitimuan universitetin në veri. Por këto janë fakte, sado që dikush përpiqet t’i mjegullojë. Siç është fakt edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit vurin nënshkrimin Isa Mustafa, që tash po thotë se do të ishte mirë që të mos krijohej.

Duke mos marrë përgjegjësi për veprime dhe vendime në të kaluarën, LDK tregon se e ka vështirë të bëjë diferencën me parti të tjera të ngjashme, të cilat zgjedhin të kritikojnë e sulmojnë të tjerët, pa u marrë së pari me veten. Hipokrizia “institucionaliste” nuk çon askund.