Superliga e futbollit do të vazhdojë këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 31-të të saj.
Sot do të luhen tri ndeshje, kurse nesër dy të tjera, shkruan “Gazeta Express”.
Dueli kryesor i kësaj xhiroje do të jetë ai mes Dritës dhe Prishtinës, e cila do të luhet sot në Gjilan.
“Intelektualët” do të mundohen t’i mbajnë pikët në shtëpi dhe ta ruajnë distancën ndaj ndjekësit kryesor për titull, Ballkanit.
Nga ana tjetër, kryeqytetasit vijnë nga katër barazime radhazi dhe një dështim eventual do t’i linte më larg Evropës.
Prandaj, edhe të përzgjedhurit e Alban Dragushës synojnë rezultat pozitiv në fushën me bar sintetik në Gjilan.

Ndërkohë, Malisheva – Gjilani do të jetë një përballje direkte për vend të tretë, i cili çon në Evropë.
Malisheva me profën Bylbyl Sokoli i ka regjistruar dy fitore radhazi dhe sot e synon të tretën, ndërsa gjilanasit vijnë nga barazimi në “Fadil Vokrri” me Prishtinën.
E dueli i tretë i ditës do të jetë ai mes Llapit dhe Prishtinës së Re, dy ekipe që i zënë dy vendet e fundit në tabelë.
Trupa e Tahir Batatinës ka nevojë për fitore më shumë se kurrë më parë për t’iu shmangur pozitave të fundit dhe për të shpresuar që deri në fund t’i ikën edhe barazhit.
Nga ana tjetër, kryeqytetasit e rinj janë duke u bërë tentimet e fundit për ta bërë eventualisht mrekullinë – mbetjen në ligë.
Tri ndeshjet e sotme të Superligës do të nisin prej orës 15:00. /Gazeta Express